Transmetuar më 02-02-2023, 11:44

Londinezët e Boehly janë klubi që ka shpenzuar më shumë para në historinë e merkatos së transferimeve dimërore. Megjithatë, duke parë sezonet e kaluara, edhe italianët dhe blutë, nën drejtimin e Abramovich, i kanë dhënë vetes disa goditje me "nokaut"…

1. CHELSEA, 2023 – 330 MILIONË EURO

Ka më pak se një vit që kur Todd Boehly u bë pronar dhe numri një i bluve të Londrës. Ai u prezantua me një fushatë transferimesh "vrastare", duke shpenzuar 281 milionë euro gjatë verës së tij të parë në Londër. Kjo është e gjitha? Aspak. Në janar ai madje arriti ta tejkalonte veten, duke blerë 8 lojtarë për një total prej 330 milionë euro: 121 për Enzo Fernandez, 70 për Mudryk (plus 30 bonuse), 38 për Badiashile, 35 për Madueke dhe 30 për Malo Gusto. Tablonë e plotësojnë “të lirët” Andrey Santos dhe Datro Fofana, që të dy mbërrijnë për 12 milionë. E njëjta shumë u përdor për të rrëmbyer Joao Felix nga Atletico Madridi në formë huazimi, për vetëm gjashtë muaj…

2. BARCELONA, 2018 – 148 MILIONË

Në vendin e dytë të podiumit është Barcelona e Ernesto Valverdes. Përpara se Chelsea të thyente çdo lloj rekordi, Blaugrana-t mburreshin me vendin e parë në renditje falë asaj që, ende sot, rezulton të jetë blerja më e shtrenjtë në historinë e merkatos së dimrit: Philippe Coutinho. Ish-lojtari i Interit u mor nga Liverpool-i për 135 milionë euro dhe pak ditë më vonë iu bashkua në Katalonjë kolumbiani Yerry Mina. Megjithatë, mbrojtësi, ndryshe nga "playmakeri", kushtoi vetëm 13 milionë.

3. NEWCASTLE, 2022 – 101 MILIONË

Një vit më parë, blerja e Vlahovicit dukej e destinuar ta nominonte Juventusin për titullin e ekipit më shpenzues në merkaton e dimrit. Nuk ishte kështu, sepse një princ saudit sapo kishte mbërritur në Angli, i vendosur për ta bërë Newcastle një nga klubet më të mira në Premier League. Në atë kohë, "Magpies" rrezikonin rënien, një skenar i pamenduar nga pronarët e rinj. Për ta rregulluar, klubit anglez i duheshin disa goditje të mëdha. E thënë dhe bërë: Guimaraes nga Lyon (42 milionë), Wood nga Burnley (30 milionë), Trippier nga Atletico (14 milionë) dhe Burn nga Brighton (15 milionë) u blenë.

4. JIANGU SUNING, 2016 – 100 MILIONË

Shtatë vite më parë, kinezët shpenzuan më shumë para në merkaton e transferimeve dimërore. Sot nuk ekzistojnë më, pas njoftimit për ndërprerjen e aktiviteteve sportive të dhënë në shkurt 2021. Jiangsu Suning, skuadra kineze e familjes Zhang, në vitin 2016 investoi shifra që i kishin zili klubet më të mira europiane. Flamurtari i seancës ishte Alex Teixeira, i marrë nga Shakthar për 50 milionë, i ndjekur nga Ramires që u largua nga Chelsea për 28 milionë. Bashkë me ta kanë mbërritur edhe disa futbollistë kinezë, të cilët përfaqësojnë elitën në nivel kombëtar, që kushtojnë gjithsej 20 milionë.

5. JUVENTUS, 2022 – 98 MILIONË

Ne po flisnim më lart për ardhjen e Vlahovic te Juve, sezonin e kaluar. Serbi i rritur te Fiorentina u pagua mbi 80 milionë euro, por nuk është dhurata e vetme që Agnelli vendosi t’i bënte Allegrit në përpjekje për ta rikthyer titullin në Torino. Zakaria u ble nga Monchengladbach, me vlerë 10 milionë, ndërsa i riu Gatti u mor në Serie B dhe më pas u huazua te Frosinone deri në fund të sezonit.

6. CHELSEA, 2011 – 83.5 MILIONË

Nga Chelsea… te Chelsea, kur ishte ende në duart e Abramovich. Një vit e gjysmë pas triumfit të parë historik në Ligën e Kampionëve, pronari i bluve të Londrës i dha Ancelottit dy përforcime të nivelit të lartë, të cilat më pas ishin vendimtare në fushatën evropiane të sezonit të ardhshëm. Njerëz të kalibrit David Luiz, në atë kohë një yll 23-vjeçar nga Benfica dhe mbi të gjitha Fernando Torres, i cili në moshën 26-vjeçare magjepsi Liverpool-in dhe kushtoi 58 milionë euro. Sot do të dukej si një çmim normal, por 10 vite më parë dukej shifër e çmendur. Sidomos në dimër…

7. HERTHA BERLIN, 2020 -78 MILIONË

Një sezon padyshim normal, i cili përfundoi në vendin e 14-të në klasifikimin e Bundesligës. Vetëm dy vite më parë, klubi gjerman ndërroi trajner në mes të merkatos së dimrit, duke zbatuar një revolucion 360 gradë. Në fakt, Herta ka investuar 78 milionë euro gjatë merkatos dimërore, shumë e cila përfundoi pjesërisht edhe në xhepat e Milanit. Blerja më e shtrenjtë kishte të bënte me Tousart (nga Lyon për 25 milionë), i ndjekur nga Piatek (nga kuqezinjtë për 24 milionë), Cunha dhe Ascacibar.

8. MILAN, 2019 – 73 MILIONË

Ata supozohej të ishin yjet e Milanit të së ardhmes. Në pak muaj përfunduan në margjina të projektit, më pas shkuan jashtë shtetit për të kërkuar fatin e tyre. Katër vite më parë kuqezinjtë blenë Piatek dhe Paquetà për respektivisht 35 dhe 38 milionë euro. Polaku ishte 23 vjeç dhe shënoi shumë gola për Genoa, braziliani ishte një 21-vjeçar që ende nuk ishte njohur me futbollin evropian. Milani hyri në histori si klubi italian që kishte shpenzuar më shumë para gjatë një merkatoje dimërore. Sa keq që investimet nuk rezultuan të drejta…

9. CHELSEA, 2019 – 72 MILIONË

Në vendin e parafundit është… sërish Chelsea, ende me Abramovich, por në kohët më të fundit. Katër vite më parë, Milani ishte i vetmi klub në botë që i rivalizoi londinezët gjatë merkatos së dimrit. Blutë vendosën të revolucionarizojnë sulmin duke marrë yllin Pulisic nga Dortmundi (64 milionë) dhe huazuan Gonzalo Higuain, i kthyer nga eksperienca fatkeqe me Milanin, i dërguar në Londër nga Juventusi.

10. PSG, 2017 – 66 MILIONË

Gjashtë vite më parë ata mbërritën në Paris si përforcime të reja. Këtë vit ata u takuan përsëri në Lisbonë, pas disa sezonesh si mbështetës pas Neymar & Co. Julian Draxler dhe Gonçalo Guedes ishin protagonistët e tregut të transferimeve të dimrit 2017. Gjermani ishte 23 vjeç dhe luante për Wolfsburgun, portugezi ishte te Benfica dhe vetëm 20 vjeç u shit për 30 milionë. Pas huazimeve te Valencia dhe një periudhe të shkurtër te Wolverhampton, Gonçalo është kthyer në shtëpi. Te Benfica gjeti gjermanin, i cili pasi përfundoi mënjanë në projektin e Galtier, u transferua në Portugali me formulën e huazimit.