Transmetuar më 25-01-2023, 13:37

Telashe të reja për Mike Tyson, kundër të cilit u ngrit padi civile nga një grua nga shteti i New York-ut, e cila e akuzon për përdhunimin e saj në një limuzinë në fillim të viteve 1990.

Gruaja, e cila i kërkoi gjykatës të mbetej anonime, paraqiti ankesën e saj në fillim të janarit sipas një ligji të përkohshëm të shtetit të New York-ut, që lejon viktimat e sulmeve seksuale të kërkojnë dëmshpërblim civil, pavarësisht nga kushtet e parashkrimit.

Ish-kampioni botëror i boksit kaloi tri vite në burg, duke filluar nga viti 1992, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e modeles Desiree Washington, e cila në atë kohë ishte 18 vjeçe.

Në një deklaratë të shkurtër të datës 23 dhjetor 2022, paditësja thotë se ajo u takua me ish-boksierin e famshëm në një klub nate në fillim të viteve 1990, më pas e mori në limuzinën e tij, ku dyshohet se e sulmoi përpara se ta përdhunonte.

“Si pasojë e përdhunimit nga Tyson, kam pësuar dhe vazhdoj të vuaj lëndime fizike, psikologjike dhe emocionale”, – tha ajo. Tashmë kërkon 5 milionë dollarë dëmshpërblim.

I lindur në Brooklyn në vitin 1966, Tyson pati një fëmijëri të turbullt, përpara se të bëhej kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda në vitet 1980, duke tmerruar kundërshtarët e tij me tërbimin në ring dhe fuqinë fenomenale të goditjes.

Pas dënimit me burg, Mike nuk mundi t’i mbante titujt e tij. Në një duel famëkeq të vitit 1996, Tyson kafshoi një pjesë të veshit të kundërshtarit të tij Evander Holyfield.

I rrënuar nga depresioni dhe varësia ndaj drogës, ai vazhdoi të bëhej tituj kryesorë në mediat e botës. Kohët e fundit u hodh në industrinë e kanabisit me markën e tij të produkteve të marihuanës. /noa.al