Transmetuar më 25-01-2023, 11:39

Zlatan Ibrahimovic ka kohë që është larguar nga fusha e lojës. Sulmuesi i Milanit po përballet me probleme fizike, që e kanë penguar të luajë këtë sezon. Ndërkohë, megjithatë, suedezi vazhdon fushatën promovuese për filmin “Asterix and Obelix-The Middle Kingdom”, ku ai luan Caius Antivirus, krahun e djathtë të Julius Cezarit.

Duke folur në radion franceze “France Inter”, Ibra flet për karrierën e tij të aktrimit dhe të kaluarën e tij në Ligue 1: "Për mua ky film është një gjë e madhe. Tifozët e futbollit më njohin prej kohësh, por kjo është një botë tjetër. Të bëhem aktor? Asnjëherë nuk i dihet, unë jam shumë kurioz për botën e kinemasë. Më duhet të falënderoj Guillaume për këtë shans që më dha…, por para kamerës nuk jam i frikësuar".

Ibra flet edhe për të kaluarën e tij në Francë dhe Botërorin e fituar nga Argjentina e Messit: “Unë e dua Francën, kalova katër vite atje dhe e ngjita futbollin francez në një nivel botëror. Kjo nuk është arrogancë, është besim në potencialin tim. Mbappé? Nuk jam i shqetësuar për të, me siguri do ta fitojë një Botëror tjetër, por në Katar isha i sigurt se Argjentina do të triumfonte".

Sulmuesi kuqezi më pas dënoi sjelljen e vrazhdë të disa lojtarëve të Argjentinës gjatë festimeve për triumfin në “Katar 2022”: "Messi konsiderohet lojtari më i mirë në histori dhe do të mbahet mend për fitimin e Kupës së Botës, por ç’të themi për të tjerët? Si profesionist, nuk mund të respektoj askënd që sillet ashtu".