Transmetuar më 25-01-2023, 10:03

Kriza e Milanit nuk tregon shenja ngadalësimi. Pas eliminimit nga Kupa e Italisë dhe humbjes së rëndë në Superkupë kundër Interit, kuqezinjtë “asfaltohen” në “Olimpico” nga Lazio e Maurizio Sarrit dhe shohin diferencën në renditje nga Napoli lider në rritje, tashmë 12 pikë.

Pas ndeshjes së pestë radhazi pa fitore, përveç Stefano Piolit, ia ka vënë fytyrën e vet kësaj situate kritike edhe drejtori i zonës sportive Paolo Maldini. Ish-kapiteni ka pranuar se është një moment shumë i vështirë për skuadrën.

Megjithatë, ai u shfaq shumë i qetë para mikrofonave të DAZN, duke i shfajësuar paksa lojtarët, duke u shprehur se për momentin Milani është në përputhje me objektivat e vendosura në fillim të sezonit:

"Është një moment i vështirë. Ne u eliminuam në Kupën e Italisë dhe humbëm Superkupën, kemi pësuar shumë gola në ndeshjet e fundit. Duhet të gjejmë qetësinë në shpirtin tonë. Vitin e kaluar fituam titullin, tani jemi ende të dytët në renditje.

Me gjithë respektin e duhur për këtë moment, por ne jemi në përputhje me parametrat tanë. Ne nuk jemi Milani i viteve 90-të, duhet të kemi një strategji që synon të shërojë llogaritë e klubit dhe të jemi protagonist në fushën e blertë. Edhe Milani im ka pasur momente të tilla. E dimë që nuk jemi në nivelin e më të mëdhenjve në Evropë, por jemi në 16-shen e fundit të Champions League. Një arritje e madhe”.

Paolo Maldini në mbështetje të tezës së tij duket se dëshiron të mbrojë trajnerin Stefano Pioli dhe vetë lojtarët nga kritikat. Në vijim, flamuri i Milanit më në fund sqaroi përmasat aktuale të klubit milanez, pavarësisht titullit të kampionit të Italisë të fituar sezonin e kaluar: “Nuk kemi mundësi të marrim lojtarë që tashmë kanë shpërthyer, duhet t’i krijojmë vetë ato”.