Transmetuar më 24-01-2023, 09:14

Superiorja ka humbur sulmuesin e vet më potent, ndërsa klubi i tij, Partizani, ka mbushur arkat. Flitet për një nga transferimet më të shtrenjta të futbollit shqiptar, më saktësisht të kampionatit shqiptar në dalje.

Xhuliano Skuka, dibrani i “demave të kuq” është prezantuar tashmë te skuadra e tij e re, FC Metz në Francë. Shuma e këtij operacioni merkatoje nuk është bërë ie ditur me saktësi, por klubi i kuq e ka konsideruar rekord një njoftimin e bërë me këtë rast:

“Klubi i futbollit Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me FC Metz për transferimin e Xhuliano Skukës në kampionatin francez të futbollit. FC Metz është një prej klubeve me traditë në futbollin transalpin, duke fituar dy trofe të Kupës së Francës dhe dy Kupa të Ligës.

Transferimi i sulmuesit 24-vjeçar është arritur për një shifër rekord jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe në rajon. Xhuliano Skuka bëhet i pari lojtar shqiptar që largohet nga Kategoria Superiore për të vijuar karrierën në Evropën Perëndimore me një akord të tillë…

Partizani ruan të drejtën edhe të 20% të kartonit të lojtarit në transferimin e ardhshëm, ndërkohë që është përkujdesur që edhe kontrata e lojtarit të jetë në kushtet më optimale të mundshme.

Përgjatë një viti me të kuqtë, Skuka ishte shembull si brenda edhe jashtë fushës së blertë. Me punën dhe dedikimin e tij ai realizoi gola deçizivë dhe performanca shumë pozitive, duke u kthyer në një prej idhujve të tifozerisë së kuqe dhe arritur njëkohësisht të jetë pjesë e ekipit tonë kombëtar.

Klubi dëshiron të falënderojë Xhuliano Skukën për kontributin dhe emocionet që na dhuroi me fanellën e kuqe dhe i uron njëkohësisht shumë suksese në aventurën e tij të re. Xhulio njëri prej nesh…”