Transmetuar më 24-01-2023, 07:18

Gjesti i Dibu Martínez pas marrjes së trofeut të FIFA-s (“Doreza e Artë”) si portieri më i mirë i Kupës së Botës “Katar 2022” shkaktoi bujë dhe shqetësim, veçanërisht te futbollistët francezë që sapo kishin humbur finalen kundër kombëtares argjentinase. Shumë e morën reagimin e futbollistit nga Mar del Plata si mungesë respekti.

Megjithatë, pak më shumë se një muaj pas triumfit të kombëtares së Lionel Scalonit në Katar u pa një video në të cilën Kylian Mbappé, autori i tre golave ​​për Francën në finalen e 18 dhjetorit, bën të njëjtin gjest si portieri i Argjentinës.

Njësoj si Martinez, edhe ylli transalpin është bërë “viral” në rrjetet sociale. Sidoqoftë, portieri kampion bote ngjalli mjaft polemika. Madje një deputet francez kërkoi që kampionit të botës t’i hiqej “Doreza e Artë” prej gjestit që bëri kur e mori atë, duke e vendosur tek organet gjenitale.

Mbappé imitoi Dibu Martínez dhe vendosi mes këmbëve (tek organet gjenitale) trofeun që marka e birrës, sponsor i Botërorit të Katarit, i dha për performancën e tij në këtë kompeticion. Pamjet që u kapën në dalje të qendrës stërvitore të Paris Saint-Germain u bënë shpejt “virale” në rrjetet sociale.

Kjo tregon se shoku i skuadrës së Lionel Messit e ka marrë me humor gjestin e portierit hero të Argjentinës për pritjet e bëra në finalen e Lusail, më 18 dhjetor. Tashmë me petkun e nënkampiones së botës, Franca është përfshirë në një situatë delikate.

Përveç dorëheqjeve të Karim Benzema dhe Hugo Lloris nga kombëtarja dhe kritikave të Didier Deschamps për mungesën e qëndrimit në finalen e “Katar 2022”, presidenti i FFF-së, Noel Le Graët, u shkarkua nga detyra pas akuzave të rënda të pretenduara për abuzim seksual ndaj agjentes së futbollit Sonia Souid dhe deklaratave të tij injoruese ndaj Zinedine Zidane.