Transmetuar më 21-01-2023, 09:28

TIRANË- Mbushen sot 12 vite nga protesta e 21 janarit të 2011-ës, e cila u mbyll me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë. Të gjithë të qëlluar mes orës 16:00-16:10. Demostruesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda vdiqën atë ditë, shtatë të tjerë u plagosën, mes të cilëve Aleks Nika, i plagosur rëndë ndërroi jetë në një spital në Turqi.

Pas 10 vitesh nga protesta e 2011, gazetari Artan Hoxha ka zbardhur përgjime nga ajo ditë, ku zbulohet se vrasjet janë bërë me urdhër. Në përgjime u kap dhe ish-ministri i Brendshëm i atëhershëm Lulzim Basha, i cili ka komunikuar me një radio të veçantë të quajtur "202 i Tufanit".

Opozita e atëhershme akuzoi qeverinë se qëlloi mbi demonstruesit, ndërsa në orët e tensionuara të mbrëmjes, një grup prokuroresh nisi punën në vendngjarje. Rezultatet e para paralajmëruan atë që do të vinte më pas. Gjatë kqyrjes së vendngjarjes, policia shkencore administroi brenda rrethit të kryeministrisë sasira të konsiderueshme gëzhojash, konkretisht 131 gëzhoja 9 milimetërshe, si dhe 436 gëzhoja 7, 62 milimetershe.

Pamja e parë e personit të dyshuar si një ndër efektivët që qëlloi mbi turmën ishte ajo e Agim Llupos në bodrumin e kryeministrisë, i vendosur sipas një plani masash që më pas u identifikua si grupi i zjarrit. Alibia e parë, ajo e vrasjes nga afër me pistoleta, u rrëzua brenda pak orësh. Por ndërsa në këtë demostratë Garda e Republikës kishte angazhuar 60 gardistë nga tre njesitë kryesore të saj, se kush qëlloi mbi demonstruesit gjatë 21 janarit 2011, do të qëndronte në mister për disa orë.

4 protestues të vrarë, 6 protestues të plagosur rëndë, 80 gardistë dhe policë të plagosur lehtë. Në vendngjarje janë gjetur 439 gëzhoja 7.62 mm, 131 gëzhoja 9 mm nga të shtënat e Gardës dhe policisë, si dhe 8 fishekë fishekë luftarakë 7.62 mm të papërdorur. Janë vërejtur 13 shenja plumbash në kangjellat e kryeministrisë në lartësinë e trupit të njeriut. Janë gjetur 9 predha në zyrat e godinës së UNHCR, 2 predha në pemë, 1 në bankën te dy kullat binjake, 1 në godinën e Gjykatës Kushtetuese dhe 1 predhë në tabelën e sinjalistikës në bulevard. Grupi hetimor i prokurorisë ishte përbërë nga 12 pjesëtarë, prej tyre 6 prokurorë dhe 6 oficerë të policisë gjyqësore. Janë marrë në pyetje 120 persona dhe janë kryer 2 eksperimente speciale në vendngjarje.

Grupi hetimor firmosi 6 urdhra arresti për drejtuesit e Gardës së Republikës, dy të dënuar nga Gjykata e Apelit, komandanti i Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardisti Agim Llupo me 3 vjet burg. Por kjo nuk mbetet këtu, pasi ssipas familjarëve çështja duhet t’i kalojë SPAK-ut, për të dënuar të gjithë fajtorët që vrarënë e plagosët atë ditë.