Transmetuar më 21-01-2023, 08:14

Kombëtarja braziliane ka disa muaj që asociohet me Carlo Ancelottin. Tani, Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) dëshiron të takohet me trajnerin italian në javët e ardhshme, sipas faqes së internetit "UOL Esporte".

Ai takim do të zhvillohet ballë për ballë në Madrid, ku pala braziliane do të përpiqet ta bindë Ancelottin të marrë detyrën e trajnerit të Selecao. Ideja kryesore dhe e vetme e italianit është të përmbushë kontratën me Real Madridin deri në qershor të vitit 2024, siç ka komentuar në disa raste.

Ai nuk dëshiron të largohet nga klubi, ndaj teorikisht shkuarja e tij në Brazil është praktikisht e pamundur. “Ne duam një trajner të respektuar, që të ofrojë një nivel loje në përputhje me futbollistët, të jetë ofensiv.

Ne do të japim gjithçka të nevojshme për të bërë një punë të shkëlqyer. Ne duam një trajner të përkushtuar dhe të sprovuar”, – pohoi presidenti i CBF, Ednaldo Rodrigues këtë javë.

Takimi i ardhshëm mes të dyve lind nga informacionet që i mbërritën presidentit në mes të tetorit, nëpërmjet ndërmjetësve të besuar. Një prej tyre është Ronaldo Nazario.

Ish-lojtari dhe presidenti aktual i Real Valladolid e Cruzeiro po ndihmon bashkatdhetarin e tij të gjejë një trajner evropian ose, siç ndodh me Ancelottin, të organizojë një takim mes CBF dhe italianit.

Brazili ka nevojë për një trajner të ri sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi pas nja dy muajsh do të fillojnë kualifikueset e Amerikës së Jugut për Botërorin 2026 dhe gjithçka tregon se Carlo Ancelotti nuk do të jetë trajneri i tyre.