Transmetuar më 21-01-2023, 08:00

Nga Spanja janë të sigurt: Gerard Pique dhe e dashura e tij e re Clara Chia Marti tashmë janë në krizë. Arsyeja? Mesa duket kënga e Shakirës, në të cilën këngëtarja kolumbiane akuzon hapur ish-partnerin e saj dhe 23-vjeçaren.

Sipas asaj që raporton "Salvame", Clarës nuk do t’i kishte pëlqyer veçanërisht një varg i këngës. Jo ai në të cilin krahasohet me një Casio apo Twingo, por ky: "Unë nuk do të kthehem kurrë me ty, edhe nëse më qahesh ose më lutesh".

Një frazë që sugjeron se Pique, ndoshta një ditë, mund të kthehet në krahët e nënës së fëmijëve të tij. Një fjali që nuk do t’i kishte pëlqyer aspak Martit, e cila nuk do të ndihej më aq e sigurt për dashurinë e ish-mbrojtësit të Barcelonës.

Clara Chia Marti, e cila u takua me Piqué në një vend ku ishte kameriere, po ngushëllohet në këtë periudhë veçanërisht të vështirë me miqtë dhe prindërit, me të cilët është shumë e lidhur. Babai i vajzës, i pyetur nga një gazetar spanjoll, tha se nuk e kishte dëgjuar këngën e Shakirës: "Nuk më pëlqen ai zhanër. Unë dëgjoj vetëm muzikë klasike".

Ndërkohë, duket se Pique është konsultuar me avokatët e tij për të kuptuar nëse ekziston mundësia konkrete për të paditur yllin e pop-it për ‘Music Sessions #53’. Duket se avokatët e kanë këshilluar ish-kapitenin e Barcelonës të mos e marrë këtë rrugë.