Transmetuar më 19-01-2023, 10:47

Stefano Pioli “përtyp” hidhërim. Trajneri kuqezi është i zhgënjyer me përfundimin e Superkupës së Italisë, të fituar nga Interi 3-0. Duke folur për mikrofonat e “Mediaset”, trajneri i Milanit analizoi disfatën dhe iu përgjigj një pyetjeje të Christian Panucci.

Ish-mbrojtësi i Milanit, Real Madridit dhe Romës, për disa muaj edhe trajner i kombëtares shqiptare, i ka bërë presion, duke folur për një Milan që nuk mund të reagojë. "Mister, sonte keni bërë një formacion të guximshëm, – tha ai, – me Messias dhe mendova se mund të luanit një lojë tjetër.

Në vend të kësaj, Milani ishte i nënshtruar, i pashë lojtarët të shurdhër, më lejoni të them termin trishtim. Çfarë ndodhi?" Përgjigja e Piolit nuk vonoi:

“Nuk e prisja një paraqitje të tillë, pasi i njoh djemtë e mi dhe e di që në disa ndeshje ata gjithmonë ofrojnë më të mirën e tyre. Kjo mungesë rezultatesh po na rëndon dhe sot nuk ishim në gjendje të reagonim ndaj vështirësive që po hasim".