Transmetuar më 17-01-2023, 12:38

Humbje e hidhur për PSG-në ndaj Rennes. Kampionët në fuqi të Francës humbën 1-0 në "Roazhon Park" kundër mikpritësve kuqezi. Goli i Traores në minutën e 65-të dënoi djemtë e Galtier me gabimin e dytë radhazi jashtë fushe, duke lejuar kështu Lens e vendit të dytë të shkurtojë diferencën vetëm 3 pikë nga liderët.

Gjithsesi, vëmendja e të gjithëve është përqendruar te Kylian Mbappé, protagonist i një momenti unik kur hyri në fushë në minutën e 56-të. Bruno Genesio, trajneri i Rennes iu afrua zëvendës kampionit të botës, teksa po hynte në fushë dhe i pëshpëriti diçka në vesh.

“E përgëzova për gjithçka që bën, për gjithçka që ka bërë dhe për gjithçka që do të bëjë sërish”, – deklaroi trajneri i Rennes pas ndeshjes, duke shpjeguar më pas arsyet e admirimit të tij për Mbappe:

“Përveçse një lojtar i madh, ai është edhe dikushi që e vlerësoj si model. Në moshën e tij, me gjithçka që ka bërë, ruan një përulësi, një thjeshtësi të admirueshme. Nuk është hera e parë që e shoh, e takova një ditë në Clairefontaine. Ai u ndal për të më përshëndetur. Janë gjeste që flasin shumë për personalitetin dhe edukimin e tij”.