Transmetuar më 17-01-2023, 11:11

“A duam hakmarrje? Derbin e fundit e humbëm në mënyrë të pamerituar”, – ka thënë Simone Inzaghi në prag të Superkupës së Italisë kundër Milanit. Në Riad, trajneri i Interit ka ende dyshime për formacionin:

"A është rikuperuar Lukaku? Të shohim. Nuk kam vendosur ende se kush do të luajë mes Darmian dhe Dumfries". Zikaltrit janë në formë të mirë: "Pa incidentin në Monza do të kishim bërë një ecuri të qartë më 2023. Ka pak lodhje, por ne po përgatitemi për ndeshjen sa më mirë që mundemi. Na duhet të luajmë një ndeshje të madhe.

Ne e dimë rëndësinë e ndeshjes. Është një derbi, kështu që ka vlerë edhe më të madhe. Është trofeu i parë i sezonit dhe ne do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të mrekullueshme. Është një trofe, është vazhdimi i sezonit të kaluar. Herën e fundit e fituam, ndaj duam ta mbrojmë me çdo kusht.

Derbi është i veçantë. Ne humbëm në Serie A, duke merituar diçka më shumë, vitin e kaluar fituam qartë në ‘Coppa Italia’. Këto ndeshje shpesh vendosen nga episodet.

Sa mund të ndikojë Superkupa në pjesën tjetër të sezonit? Vitin e kaluar më kujtohet finalja e Superkupës me Juventusin, e fituar pas kohës shtesë me vështirësi dhe e shijova shumë, sepse pas tri ditësh ishim në fushë në Bergamo. Dy ditë e gjysmë folëm për fitoren, por më pas, siç duhet të jetë kështu, u fol për barazimin 0-0 në Bergamo, ku mund të kishim bërë më mirë”.

Rreth Milanit: “Kuqezinjtë dinë të ndërtojnë dhe të rifillojnë, kanë një ecuri të mirë në kampionat si Interi. Napoli po bëhet i paarritshëm me shifra të pabesueshme”.

Mbi Darmian: "Ai është një lojtar që po bën mirë, një aset i madh për ne. Dumfries është në atë rol dhe ai po rritet pas një problemi të vogël në Kupën e Botës. Unë kam ende disa dyshime se cilin do të vendos nga fillimi".

Mbi fjalët e Sacchi: "Të gjithë janë të lirë të shprehin mendimin e tyre pa probleme. Për mendimin tim, i interesuari drejtpërdrejt është ai që duhet të kuptojë se kur, si dhe kë të dëgjojë".