Transmetuar më 16-01-2023, 20:38

Itali- Policia italiane ka arrestuar një 34-vjeçar shqiptar, banues në Castellarano. Ai u arrestua nga karabinierët e Reggio Emilia, të cilët ekzekutuan një urdhër-arresti europian të lëshuar ndaj tij nga autoritetet gjyqësore franceze. Por në fakt shqiptari Saimir Merdhoqi ishte shpallur në kërkim në të gjithë Europën pas një dënimi me 3 vjet burg për një sërë vjedhjesh në shtëpi.

Sipas mediave italiane, madje kishte marrë edhe pseudonimin “akrobati”, pasi ishte i aftë që të arrinte edhe në katet më të larta, derisa të hynte në banesën e synuar.

Ndaj që prej së shtunës, 34-vjeçari Saimir Merdhoqi, me origjinë nga Shqipëria, i kërkuar në Europë nga autoritetet franceze, ndodhet në burgun e Reggio Emilia në pritje të dorëzimit të autoriteteve franceze.

Sipas dokumentacionit, Merdhoqi që në vitin 2014 ishte përgjegjës për rreth dhjetë vjedhje në shtëpi në Francë. Dënimi me 3 vjet heqje lirie për 34-vjeçarin është vendosur nga gjykata e Nancy, një qytet francez i vendosur në zemër të Lorenës, i cili megjithatë mbeti i paekzekutuar pasi i dënuari ishte kthyer në Itali. Por i arrestuari duhet të vuajë edhe 29 muaj burg: sipas dokumenteve gjyqësore, në fakt ai kishte kaluar 7 muaj paraburgim, duke kryer një pjesë të dënimit prej 3 vitesh burg që i ishte caktuar nga autoritetet franceze.