Transmetuar më 16-01-2023, 09:36

Laporta është shprehur shumë i lumtur pas finales së Superkupës së Spanjës, e fituar 3-1 nga të tijtë ndaj Real Madridit. Presidenti i Barçës, i cili kujtoi se është titulli i tij i dytë që kur u kthye sërish në “fronin” blaugrana, ishte plot lëvdata për skuadrën dhe trajnerin. Ai kujtoi se objektivi i tij ishte të kthente gëzimin te tifozët.

Laporta, i lumtur – “Është titulli im i dytë, i pari i Xavi. Është një brez i jashtëzakonshëm lojtarësh, i udhëhequr nga një trajner i mrekullueshëm”.

Gavi – “Ai ka shënuar një gol të mrekullueshëm, ka asistuar dy golat e tjerë dhe e meritoi të shpallej MVP (më i miri) i kësaj finaleje, por Barça ka luajtur në një nivel të lartë, të drejtuar nga një trajner i madh, që është Xavi Hernández”.

Rivali – “Real Madridi ka qenë një rival i denjë. Të bardhët dinë të jenë me kokën lart në fitore dhe humbje, janë shumë elegantë. Florentino i ka thënë disa fjalë të mira Busquets”.

Moment i veçantë – "Është i veçantë, sepse është trofe i rëndësishëm. Është Superkupa e Spanjës, mos harroni. Urime federatës për organizimin e një Superkupe të tillë të madhe, të gjithë jemi ndjerë shumë krenarë. Është një sukses i veçantë për ‘culés’, sepse kemi thënë se do të kthenim gëzimin te fansat”.

Xavi – "Ai ka njohuri, personalitet, një stil të luajturi futbolli që Barça e dashuron. Ne po shprehemi në këtë mënyrë. Ai është një nga arkitektët e kësaj mënyre të mirëfilltë të të luajturit futboll".