Transmetuar më 14-01-2023, 13:30

Sot është derbi i Manchesterit, një supersfidë ndërqytetase që do të luhet në “Old Trafford”. Këtij ballafaqimi i kanë kushtuar vëmendje të madhe edhe mediat spanjolle, nisur nga fakti se Manchester City e drejton Pep Guardiola.

Pikërisht trajneri iberik i “qytetarëve” ka një ditë të veçantë sot, për të cilën prestigjiozja “Marca” ka shkruar këtë shkrim që evidenton suksesin e padiskutueshëm të Pep në tri ligat ku ka drejtuar deri tani si trajner:

“Manchester City i Pep Guardiolës viziton sot (13:30) “Old Trafford”-in legjendar. Aty do të luhet derbi i ethshëm i Manchester-it. Përveç kësaj do të jetë mjedisi ideal për ndeshjen e 500-të të Pep Guardiolës si trajner në ligat përkatëse ku ka marrë pjesë. Këtu kemi parasysh tri skuadrat në të cilat ai ka drejtuar: Barcelona (La Liga); Bayern Munich (Bundesliga) dhe Manchester City (Premier League).

500 ndeshje, në të cilat besueshmëria fituese e tij ka qenë e mahnitshme (shih grafikun e bashkangjitur të Marca). Në 499 ndeshjet e deritanishme në tri ligat e përmendura më sipër, trajneri katalanas ka regjistruar pothuajse 76% fitore me ekipet e tij, me 14% barazime dhe vetëm 11% humbje.

Përqindja më e lartë e disfatës është gjithashtu vendi ku ka drejtuar më shumë ndeshje në ligë, te Manchester City, me 13% humbje, krahasuar me pothuajse 9% që kishte në stolin e Bayernit dhe pak më shumë se 7% te Barça. Guardiola, duke pasur në dispozicion Messi & CO, doli më mirë se në dy ligat e tjera.

Kujtojmë se për sa iu përket titujve të ligave ku ka trajunuar, produkti i Pep është si vijon: në “Camp Nou” fitoi tre nga katër titujt e mundshëm të La Liga-s (nuk fitoi 2011-2012); në “Allianz Arena” të Mynihut fitoi tre tituj radhazi (2014-2015-2016); ndërsa në “Etihad” për momentin ka fituar katër tituj të Premier League nga gjashtë të mundshëm. Manchester City i Guardiolës triumfoi në vitet 2018, 2019, 2021 dhe 2022, duke dështuar në sezonet 2016-2017 (Chelsea) dhe 2019-2020 (Liverpool).

Bilanci është i mrekullueshëm ngado që ta shikoni: Pep ka drejtuar 13 kampionate të plota në tri liga të ndryshme dhe ka fituar 10 prej tyre. Nëse shikoni tabelën bashkëngjitur, do të konstatoni se pothuajse të gjitha statistikat e skuadrave më të mposhtura korrespondojnë me Premier League, por kjo është një çështje e pastër përqindjeje, pasi është vendi ku trajneri ka drejtuar më shumë ndeshje.

Përtej ndeshjes së 500-të të Pep në tri liga, derbi i sotëm i Manchesterit do të jetë shumë interesant për dy rrethana: City nuk mund të humbasë më shumë pikë ndaj Arsenalit, që kryeson me pesë pikë më shumë klasifikimin; Manchester United ka grumbulluar një seri të mirë fitoresh në Premier League: 6 fitore radhazi dhe 10 ndeshje radhazi pa humbje, diçka që nuk e kishte bërë që nga ajo humbje 6-3 kundër City më 2 tetor.

Për më tej, lojtarët e Ten Hag kanë humbur vetëm një nga 18 ndeshjet e fundit zyrtare dhe janë “gjallë” në katër gara. Ata janë të katërtit në Premier League, 9 pikë prapa Arsenalit; do të përballen me Barçën në 1/8 finale të “Europa League”; vijon të marrë pjesë në “FA Cup” dhe është në gjysmëfinale të Kupës së Ligës".