Transmetuar më 12-01-2023, 07:21

Aventura e Romeo Beckham te Brentford nisi pak ditë më pare. Djali 20-vjeçar i ikonës së futbollit anglez, David Beckham, debutoi menjëherë me ekipin e dytë të “bletëve”. Në cepin e largët të “Park View Road”, në një shi të rrëmbyeshëm dhe një stadium amator u luajt raundi i tretë i Kupës së Seniorëve të Londrës midis Brentford dhe Erith & Belvedere.

Mes spektatorëve ishte edhe David Beckham, i cili u fut në mes të tifozëve vendas për të vëzhguar paraqitjen e parë të djalit të tij në futbollin anglez. Fytyra e “Spice Boy” ishte fshehur nën një kapuç dhe një kapele, por pas shikimit të parë që kapi praninë e një prej futbollistëve më të fortë në historinë e Anglisë, ish-futbollistit të Manchester United nuk i kishte mbetur asgjë për të bërë dhe mbrëmja e tij doli të jetë më e ndërlikuar se sa pritej.

Më shumë se 500 njerëz paguan nga 5 £ për të parë ndeshjen, por tërheqja e vërtetë e vëmendjes ishte në tribuna dhe jo në fushë. David Beckham u rrethua në një kohë shumë të shkurtër nga qindra njerëz që i kërkonin një foto, por pasi plotësoi kërkesat e disave, presidenti aktual i Inter Miamit nuk mundi ta mbante më këtë vëmendje.

Ish-kapiteni i Anglisë u përpoq të “arratisej” nga tribuna, duke u ngjitur mbi një gardh druri dhe kaluar nëpër disa shkurre me gjemba për të lënë pas turmën e tifozëve. “Arratisja” e madhe e David ishte e suksesshme, pasi askush nuk e dalloi atë në minutat në vijim dhe pas ndeshjes, por është e paqartë se cilën rrugë mori ai për të shmangur sërish tifozët.

Megjithëse ai nuk shënoi, Romeo luajti një rol kyç për të ndihmuar skuadrën e tij në fitoren 3-2. Një paraqitje e rregullt që premton mirë për të ardhmen e tij të afërt. Në përgjithësi, një debutim pozitiv, por që David Beckham, për mënyrën si u “arratis”, me siguri do ta kujtojë shumë më tepër se djalin e tij.