Transmetuar më 11-01-2023, 08:09

SERBI-  Një i ri me inicialet J.G dyshohet se është autori i vrasjes së studentes Ivana K, 26-vjeçe në Zvezdara.

“Novosti”, shkruan se gjurmët e tij të ADN-së janë gjetur në banesën në Zvezdarë dhe tani për tani gjithçka tregon se vrasësi është J.G, i cili është shqiptar nga Mali i Zi. I riu i dyshuar e shoqëroi Ivanën në shtëpi mbrëmjen fatale dhe më pas nisi ta mbyste vajzën duke i mbuluar me njërën dorë hundën dhe me tjetrën gojën.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, ndoshta për të larguar dyshimet, pas vrasjes i ka dhënë lamtumirën e fundit Ivanës dhe ka publikuar foto të përbashkëta.

‘Engjëlli im, pushofsh në paqe, të jetë e lehtë dheu i zi. Të gjithë jemi të Allahut dhe tek ai kthehemi – ka shkruar ai në një nga mesazhet poshtë fotos së përbashkët duke treguar se si po përgatiteshin për të festuar Vitin e Ri.

Sipas mediave serbe, Ivana dhe vrasësi i saj u takuan vitin e kaluar gjatë një shëtitjeje malore. I dyshuari aktualisht ndodhet jashtë Serbisë.

Trupi i studentes së vrarë u gjet nga vëllezërit më 24 dhjetor në një banesë me qira në Zvezdara. Duke qenë se ajo nuk i përgjigjej telefonit, ata thyen derën e banesës dhe e gjetën në shtrat me pantallonat e zbërthyera dhe bluzën lart. I panë të mavijosura në qafë, po ashtu ajo kishte lëndime në buzë, sy, gishta dhe parakrah.

Nga qafa i janë shkëputur dy zinxhirë, të cilët kanë mbetur në komodinë, ndërsa pranë saj është gjetur një celular me maskë dhe një ditar lëkure. Lëndimet në gishtat dhe duart e saj mund të tregojnë se ajo luftoi me vrasësin.

Gjatë seancës familjarët e saj kanë deklaruar se ajo nuk ka marrë asnjë kërcënim.