Transmetuar më 10-01-2023, 18:49

Tiranë- Me anë të një njoftimi të shpërndarë nga grupi i Enkelejd Alibeaj, 4 deputetë janë përjashtuar me urdhërin e tij nga grupi parlamentar. Sot, kur data shënon, 10.01.2023, Alibeaj pretendon se ka përfunduar afati 1-vjeçar, koha që u ishte lënë për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike. Kështu që nga të pezulluar, Tritan Shehu, Belind Këlliçi, Oerd Bylykbashi dhe Agron Shehaj, janë të përjashtuar.

"Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023,"-shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Lidhur me njoftimin e shpërndarë sot në media, ende nuk ka asnjë reagim nga ana e kryedemokratit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike zyrtare.

Njoftim i Partisë Demokratike:

Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.

Çfarë ndodhi mes palëve më 8 Janar?

Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Sali Berishës me ata të Lulzim Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim. Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara. 34 persona u vunë në pranga, 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura në Selinë e Partisë Demokratike. Pas ngjarjes, disa deputetë (përfshirë Berishën) u përjashtuan menjëherë, ndërsa të lartpërmendurve iu kërkua distancim publik nga ngjarja.