Transmetuar më 10-01-2023, 17:29

Partia Demokratike ka përjashtuar zyrtarisht nga grupi parlamentar deputetët Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj.

Bëhet fjalë për Partinë Demokratike që kontrollohet vetëm de jure nga besnikët e Lulzim Bashës.

Në vendim thuhet se këtyre deputetëve i ka përfunduar afati 1-vjeçar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike.

Ndaj në mungesë të këtij akti të distancimit nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar.

Njoftimi:

Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj.

Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe  Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar.

Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.