Transmetuar më 10-01-2023, 12:21

Eshtë zbardhur transkripti i përgjimit ambiental mes Rozeta dhe Havier Dobit, në ambientet e paraburgimit. Nënë e bir flasin për paratë e vjedhura të fshehura në tubin e aspirimit, ku Rozeta i kërkon llogari Havierit pse ka tërhequr një sasi të madhe parash nga banka.

Përgjimi ambiental:

Havieri: Çfarë ke thënë ti për mu? Nena: Asgjë, do rri unë këtu (Nënkupton se do ta marrë ajo përsipër vjedhjen) Havieri: Leket atje lart të shtëpia do ti nxjerr unë (Bazuar në këtë fjali është urdhëruar kontroll i dytë ku u gjetën paratë e tjera në tubin e aspirimit)

Në bisedën mes tyre, pastruesja Rozeta kritikon të birin se pse ka tërhequr shumë para duke mos e sqaruar por duke lënë të kuptohet se janë nga banka. Ndërsa, djali i thotë se "Kam tërhequr vetëm 50 mijë", duke nënkuptuar euro.

Vetëm dy ditë më parë u zbulua një megavjedhje ku Rozeta Dobi, pastruese bashkë me të birin, Havierin vunë në shënjestër dhe vodhën mbi 540 mijë euro, plus një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe sendesh me vlerë. Banesa që solli zbulimin e dyshes ishte ajo e këshilltares në Kryeministri, Alda Klosi, njëherazi ish-shefe e Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Ata vodhën te shtëpia e Klosit 120 mijë euro lekë dhe florinj. Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë.