Transmetuar më 10-01-2023, 07:32

Një bujë e madhe është ngritur rreth figurës së ish-trajnerit të Real Madridit, Zidane, shkaktuar nga deklaratat e presidentit të federatës franceze Le Graet, gjatë një interviste për RMC Sport: "Zidane në stolin e Brazilit? Nuk jam i interesuar.

Ai mund të shkojë ku të dojë, në ndonjë klub apo ekip kombëtar. Nëse ai do të përpiqej të kontaktonte me mua? Sigurisht që jo, as nuk do t’i përgjigjesha. Nuk kemi menduar kurrë të ndahemi me Deschamps”.

Ka pasur reagime të menjëhershme për atë që tha Le Graet, duke nisur nga kampioni Mbappe, i cili shkroi në profilet e tij sociale: “Zidane është Franca, le të mos e shpërfillim legjendën në këtë mënyrë”.

Edhe njoftimi për shtyp nga Real Madridi, që kërkonte korrigjim të deklaratës nga federata transpaline, ishte shumë i ashpër: “Real Madrid CF shpreh keqardhje për deklaratat fatkeqe të bëra nga presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Nöel Le Graët, për Zinedine Zidane, një nga legjendat më të mëdha të botës në sport.

Këto fjalë nënkuptojnë mungesë respekti për një nga figurat më të admiruara nga tifozët e futbollit në mbarë botën. Klubi ynë pret një korrigjim të menjëhershëm të deklaratës. Zinedine Zidane, kampion bote dhe kampion europian që mbron fanellën e vendit të tij, ndër shumë tituj të tjerë, përfaqëson vlerat e sportit dhe e ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës së tij profesionale si lojtar dhe si trajner.

Deklarata e presidentit të Federatës Franceze të Futbollit është e papërshtatshme për këdo që e mban atë përfaqësim dhe skualifikon veten, si ato që bëri dhe për kapitenin tonë Karim Benzema, “Topin e Artë” aktual, kampion i Ligës së Kombeve me Francën në 2021 dhe fitues i 5 Ligave të Kampionëve, ndër shumë tituj të tjerë".

I gjendur nën një presion të madh publik, vetë Noël Le Graët, në një deklaratë dërguar AFP-së, pranoi gabimin e tij dhe kërkoi falje për fjalët e thëna: "Këto komente të miat kanë krijuar një keqkuptim. Do të doja të kërkoja falje personalisht për këto komente, që nuk pasqyrojnë aspak mendimet e mia për lojtarin që ishte dhe trajnerin që është bërë tashmë Zidane".