Transmetuar më 09-01-2023, 11:23

Nëse jeni një nga ata njerëz që janë mësuar të bëjnë kafe në kuzhinën e zyrës së tyre, atëherë mund t’ju duhet ta ndaloni atë menjëherë.

Arsyeja është një sondazh, i cili tregon se deri në 90% të filxhanëve të kafesë në kuzhinat e zyrave të përbashkëta janë të veshura me mikrobe, ndërsa 20% e këtyre gotave kanë edhe mbetje të… feçes!

Sipas hulumtimit të paraqitur nga British Sun dhe i cituar nga profesori i mikrobiologjisë mjedisore në Universitetin e Arizonës, Dr. Charles Gerba, i cili kreu studimin në kuzhinat e zyrave të përbashkëta rrallë ndërrohen sfungjerët dhe pecetat, gjë që është shkaku kryesor i përhapjes së baktereve në filxhanët e kafesë.

Çfarë thonë studiuesit

“Kemi gjetur baktere koliforme në 20% të filxhanëve të kafesë para dhe në 100% të filxhanëve të kafesë pas fshirjes me një leckë ose sfungjer enësh”, shkruan Dr. Gerba dhe vazhdon:

“Nuk u gjet E. coli në filxhanët e kafesë përpara fshirjes. Megjithatë, 20% e të njëjtave gota ishin pozitive për E. Coli pas fshirjes (…)

Shqetësues është niveli problematik i kushteve të higjienës në zonat e kuzhinës dhe/ose në zonat e përgatitjes së kafesë. Prania e patogjenëve të mundshëm në këtë mjedis kërkon vendosjen e standardeve të përshtatshme sanitare”.

Nëse dëshironi të shmangni pirjen e baktereve të… feçeve (!) të kolegëve tuaj, dr. Gerba këshillon që ose të merrni kafen tuaj çdo ditë me vete, ose që të gjithë kolegët të vendosin mos përdorin veçse filxhanë njëpërdorimësh.

Studimi, i titulluar "Hetimi mikrobik i filxhanëve të kafesë në zyrë dhe efektiviteti i larjes në reduktimin e baktereve", u botua për herë të parë në revistën Dairy, Food and Environmental Sanitation.

Rreziku dhe zyrat

Në vitin 2012, një studim tjetër i udhëhequr nga Dr. Scott Kelley nga Universiteti i Kalifornisë tregoi se tavolinat e burrave kishin "në mënyrë domethënëse" më shumë baktere sesa ato të grave.

Ekipi hulumtues, i cili përfshinte Dr. Gerba, identifikoi më shumë se 500 shtame bakteriale, shumica e të cilave vinin nga lëkura e njeriut, zgavrat e hundës, të gojës dhe… të zorrëve.

Studimi zbuloi se karriget dhe telefonat kishin një sasi të lartë bakteresh, ndërsa desktopi, tastiera dhe miu i kompjuterit ishin disi më të pastër.

“Njerëzit po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në ambiente të mbyllura, megjithatë ne nuk dimë shumë për shumëllojshmërinë e baktereve dhe viruseve ku jetojmë dhe punojmë”, tha Dr. Kelley.

Studiuesit kanë gjetur gjithashtu nivele shumë të larta të baktereve në telefonat tanë inteligjentë. Sipas një studimi të Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, një në gjashtë telefona celularë në Mbretërinë e Bashkuar ka mbetje nga… feçet!

“Ky studim ofron më shumë prova se disa njerëz ende nuk i lajnë duart siç duhet, veçanërisht pasi shkojnë në tualet”, tha Dr. Val Curtis.

“Shpresoj që ideja e pranisë së E. coli në duart dhe telefonat e tyre t’i inkurajojë ata të jenë më të kujdesshëm. Larja e duarve me sapun është një gjë kaq e thjeshtë që pa dyshim shpëton jetë”, përfundoi ai. /noa.al