Transmetuar më 09-01-2023, 08:32

Nuk ka ikur ende zhgënjimi tek Interi, i freskët nga barazimi në sekondën e fundit kundër Monzas. Autogoli i Dumfries vetëm pak sekonda nga fundi i lojës iu kushtoi dy pikë shumë të rëndësishme zikaltërve, tashmë të pushtuar edhe nga kritikat e tifozëve.

Mes polemikave të arbitrimit për golin e anuluar dhe ngacmimeve në rrjetet sociale, tashmë janë shtuar edhe pamjet e kamerave që kapën Dzekon teksa qeshte me partnerin e tij Lukaku.

Në minutën e 92-të, pak sekonda para golit të barazimit 2-2 të vendasve, Lukaku merr një pasim nga mesfusha, por e zotëron atë në mënyrë të sikletshme. Pa e kontrolluar dot si duhet, topi del jashtë kuadratit të blertë, duke i dhënë rivënie anësore Monza-s.

Në këtë “gafë” të sulmuesit belg, tifozët janë fokusuar tek reagimi i Dzekos në stol, i zëvendësuar për t’i lënë vendin Lukakut. Boshnjaku, siç shihet edhe nga pamjet, ka shpërthyer në të qeshura ironike nga “gafa” e shokut të skuadrës. Duhet nënvizuar se nga ky gabim i Lukakut nisi kundërsulmi që çoi në barazimin e Monza-s.