Transmetuar më 08-01-2023, 20:29

TIRANË- Sekuestrimi i mbi 400 mijë eurove në shtëpinë ku jetonte pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier, ka ardhur pasi dyshja janë përgjuar në qelitë e paraburgimit.

Pas arrestimit, ata janë lënë bashkë në qeli, qëllimisht, në mënyrë që të flisnin dhe grupi hetimor të siguronte të tjera informacione.

Pas regjistrimit të kësaj bisede, Policia e Shtetit ka zhvilluar operacionin dhe ka gjetur paratë në tubin e aspiratorit.

Nënë e bir akuzohen se vodhën shtëpinë e ish-zyrtares së lartë në Kryeministri, Alda Klosi, banesë në të cilën Rozeta ishte punësuar prej pesë vitesh si pastruese.

Ata e inskenuan ngjarjen si grabitje duke hyrë më forcë në banesë, në një kohë që Rozeta kishte celësin që i kishte dorëzuar Klosi, në mënyrë që të futej e të pastronte banesën.

Ngjarja u zbulua nga kamerat e sigurisë dhe denoncimi u bë nga Klosi më 15 dhjetor, por goditja e Policisë së Shtetit erdhi vetëm tre ditë më parë, kur u vunë në pranga nënë e bir.

SPECIALE/ Si një pastruese përlau qindra milionë lekë në shtëpinë e shefes së kabinetit të Arben Ahmetaj