Transmetuar më 07-01-2023, 18:24

SHKODËR- Sajmir Selmanaj, mjek roje i maternitetit në Shkodër në natën kur Orjana Gremi lindi djalin e saj tha se ajo nuk e donte fëmijën dhe se do e linte në maternitet. Në një intervistë për Euroneës, Selmanaj tregoi se më 30 dhjetor, 32-vjeçarja, e cila hodhi foshnjën në lumin Kir, solli në jetë të birin rreth orës 11:40. Sipas mjekut, Orjana ka qenë e vetme në maternitet.

“Në momentin kur është shtruar, nuk e kam shtruar unë, pra unë jam mjeku që kam ardhur në mëngjes, kam qenë në shërbim, e kam vizituar, ka qenë e hapur 7-8 cm po them dhe ka lindur normal, ka pasur një qepje të vogël dhe kaq. Lindja e saj ka qenë normale dhe pa asnjë problem shëndetësor. Kanë ardhur kolegët e punës ku ajo ka punuar në një fabrikë këpucësh, të cilët i kanë sjellë dhurata dhe lekë dhe e kanë bindur që të mos e linte fëmijën në jetimore por ta mbante.

Me datë 4. ajo ka bërë daljen nga spital ku pasi ka kryer të gjitha procedurat ka marrë dhe çekun e bonusit të fëmijës të firmosur. Është larguar me taksi nga spitali dhe nga ai moment nuk dimë gjë më tepër. Dimë se nuk ka dashur të tregonte emrin e babait të fëmijës. Ndërsa sa i përket gjendjes shëndetësore të saj dhe të foshnjës gjatë gjithë kohës ka qenë e mirë,” – u shpreh Selmanaj.

Deri në datë 4 janar, Orjana ka qenë e shtruar në spital, siç tregoi mjeku ama nuk kishte dijeni për gjendjen e saj emocionale. Ai u shpreh se duke qenë se gruaja erdhi e vetme, te gjithë u angazhuan për kujdesin e saj sepse ishin të shqetësuar pikërisht prej faktit se mbase nuk do të donte të mbante fëmijën.

"Vetë Orjona, u shpreh se nuk e donte fëmijën,"-tha ai.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, të premtën e 6 janarit. Orjana Gremi hodhi foshnjen e saj të seksit mashkull në lumin Kir. Ajo që është edhe më e rëndë është fakti se Policia dhe Spitali i Shkodrës nuk mundën ta ndalonin krimin e rëndë edhe pse u njoftuan, pasi e reja kishte rrëfyer se do të bënte aktin makabër. Tani ajo ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit, ndërsa i ati i fëmijës ende nuk dihet.