Transmetuar më 07-01-2023, 12:46

Legjenda braziliane Rivaldo ka mbështetur kalimin e Cristiano Ronaldos tek Al Nassr. Ai pohon se shuma që do të fitojë edhe në moshën 38-vjeçare tregon rëndësinë e tij në futbollin botëror. Al Nassr e prezantoi zyrtarisht yllin portugez në fillim të kësaj jave dhe i dorëzoi atij fanellën numër 7.

Duke folur për “Betfair”, Rivaldo pohoi se nuk kishte asgjë të keqe në kalimin e Ronaldos tek Al Nassr dhe se ai do të kishte bërë të njëjtën zgjedhje nëse mundej: "Cristiano Ronaldo më në fund ka nënshkruar me Al-Nassr nga Arabia Saudite. Ishte interesante të dëgjoje se ai ka marrë oferta nga e gjithë bota, duke përfshirë klubet braziliane.

Do të ishte e veçantë ta kishim Cristianon këtu, veçanërisht sepse shumicës së brazilianëve iu pëlqen lojtari portugez dhe gjithçka që ka arritur në futboll. Jam i sigurt se mund të kishte qenë një tërheqje e madhe në vend, nëse ai do të kishte vendosur të transferohej në Brazil".

Rivaldo shtoi: “Sidoqoftë, mendoj se vendimi i tij për t’u transferuar në Arabinë Saudite ishte i drejtë nëse marrim parasysh vlerën e kontratës që në një farë mënyre funksionon si një çmim njohjeje për karrierën e tij të mrekullueshme.

Sigurisht, ai nuk ka nevojë për ato para, por është gjithmonë mirë të vlerësohesh për përpjekjet e tua dhe ky është si një lloj kurorëzimi i një lojtari të madh, që tani është në hapat e fundit të karrierës së tij të bukur si futbollist. Të paguhesh kështu në moshën 38-vjeçare thjesht nënvizon rëndësinë e tij në botën e futbollit për shumë vite.

Edhe unë do të kisha marrë të njëjtin vendim, nëse do të isha në vend të Cristiano Ronaldos. Është e vërtetë që ai nuk ka nevojë për para, por një lojtar që ka bërë mrekulli në botën e futbollit duhet të shpërblehet. Cristiano Ronaldo meriton shumë të respektohet”.