Transmetuar më 07-01-2023, 12:04

Noël Le Graët e kishte premtuar rinovimin e tij, në rast të arritjes në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2022, tashmë është zyrtare. Didier Deschamps do të qëndrojë trajner i “Les Blues” deri në vitin 2026. FFF e zyrtarizoi lajmin përmes një deklarate për shtyp, të publikuar të shtunën.

I emëruar më 9 korrik 2012 në këtë pozicion, Didier Deschamps ka 89 fitore, 28 barazime dhe 22 humbje në 139 ndeshje me kombëtaren franceze. Guy Stéphan, ndihmësi i Didier Deschamps, Franck Raviot, trajneri i portierëve dhe Cyril Moine, trajneri fizik, gjithashtu do të vazhdojnë misionin e tyre me “gjelat” deri në vitin 2026.

I duartrokitur ngrohtësisht nga Asambleja Federale, trajneri foli në podium të shtunën në mëngjes: “Me presidentin arritëm një marrëveshje për rinovim deri në vitin 2026. Falënderoj presidentin. Në Katar ishim shumë pranë fitimit të asaj që donim, titullit të dytë radhazi kampion bote. Bëmë gjëra shumë gjëra pozitive në Katar.

Dua të falënderoj stafin teknik, të gjithë stafin. Kur u ktheva në Francë kuptova emocionet që mund të kishte ngjallur ky Botëror. Kishte shumë pasion, mbështetje. Mund të mbështeteni tek unë për ta mbajtur ekipin e Francës në nivelin më të lartë ndërkombëtar”.

Me këtë rinovim, Zinedine Zidane mbetet me "gisht në gojë", sepse ishte mprehur të merrte drejtimin e kombëtares franceze, madje ka refuzuar super oferta deri tani vetëm për këtë qëllim profesional. Tashmë atij i duhet të bëjë të tjera zgjedhje për t’u kthyer në trajning, pas sukseseve të shumta me Real Madridin.