Transmetuar më 07-01-2023, 09:57

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes mes Manchester City dhe Chelsea, Pep Guardiola zbuloi se si “merita” e suksesit, që erdhi falë zëvendësimeve vendimtare, i takonte edhe një gazetari…

Në fakt, në pjesën e dytë, trajneri zëvendësoi Foden dhe Bernardo Silva duke futur Mahrez e Grealish. Pikërisht dy zëvendësuesit vendosën ndeshjen, me algjerianin që shënoi pas asistit të anglezit.

Për këtë temë, trajneri i "qytetarëve" donte të ndante meritat e fitores në mënyrë ironike me një gazetar të "The Guardian": "Unë jam një gjeni. Në konferencën e fundit për shtyp, ishte Jamie Jackson (gazetar i ‘The Guardian’), miku im, ai që më tha: Pse bëtë një zëvendësim në minutën e 87’ kundër Evertonit?’ Mbajta shënime, m’u kujtua një gjë e tillë në pushimin e ndeshjes ndaj Chelsea dhe guxova të kryeja zëvendësime më shpejt".

Duke kaluar në garën e Premier League, me të tijtë 5 pikë prapa liderit Arsenal, Guardiola shtoi: "U thashë lojtarëve se kemi ende 63 pikë për të mbledhur, janë ende shumë. Duhet të vazhdojmë të testojmë veten, është normale të jemi në këtë pozicion, me katër tituj kampioni në pesë vite. Nuk është e lehtë t’i vësh nën presion lojtarët. Kjo është arsyeja pse jam i kënaqur që pas asaj që ka ndodhur vitet e fundit, ne jemi ende këtu".