Transmetuar më 07-01-2023, 07:58

Andrei Kanchelskis, ish-futbollist rus, tashmë në rolin e trajnerit, beson se ndeshjet e kombëtares ruse në Kupën e Botës 2018 u blenë. Në intervistën e mëposhtme, të dhënë për një media ruse, “Match TV”, ai shpjegon ku e mbështet këtë akuzë të rëndë, që trondit jo vetëm dy kombëtaret e përmenduara, por edhe vetë FIFA-n, si organizatore e Kupës së Botës.

A mund të shpjegoni pak më shumë qëndrimin tuaj ndaj trajnerit Cherchesov? E keni kritikuar shumë në drejtimin e Rusisë. Pse? Në fund të fundit, ai prodhoi rezultate…

Unë kam një marrëdhënie normale me Cherchesov. Thjesht mendoj se ai nuk duhej të ishte trajner në kombëtare, sepse portieri është trajner i portierëve. Kjo është ajo që thashë dhe po them tani. Ai punon mirë në klube, por në kombëtare jo. Për mendimin tim, Berdyev duhet të ishte bërë trajner. Kjo është e gjitha.

A nuk mendoni se pas 1/4 finaleve të Kupës së Botës 2018 ia vlente të ndryshonit pak retorikën dhe ta mbështesnit Cherchesov?

Pse ta mbështesja? Për blerjen e gjithçka në Kupën e Botës? Të gjitha ndeshjet e fituara nga Rusia janë blerë. Çfarë, ju nuk e dini? Ne luajtëm kampionatin botëror në shtëpi. Njësoj si Koreja dhe Japonia, kur eliminuan italianët. Rezultati u pa në Kampionatin Evropian. Ky është treguesi më i rëndësishëm. Në Botërorin 2018 na tërhoqën veshët. Plus, me kë luajtëm? Me Uruguajin, i cili na shënoi. Me spanjollët, që luajtën në mënyrë të pakuptueshme. Ishte një lojë shumë e çuditshme. Më besoni, me kalimin e kohës, kjo do të dalë.

A mendoni se mund të ndodhë kjo në nivelin e Kupës së Botës?

E keni menduar ndonjëherë pse trajneri i Spanjës (Lopetegui) u hoq brenda një dite? Vendosën Hierron, i cili, pavarësisht rezultatit, do të punonte në federatë. Djema, më besoni, ka informacion të sigurt dhe e gjitha kjo do të dalë me kalimin e kohës. Do të mësoni shumë gjëra interesante. Spanja nuk luajti, por vuajti. Ata vepruan pa qëllim, thjesht qarkulluan topin. Nuk kam luajtur futboll, nuk e kuptoj se çfarë është? Për më tepër, informacioni ishte specifik. Ne nuk kemi kontakte me Uruguajin, ata nuk u interesuan dhe na mundën 3-0.

A besoni se lojtarët e nivelit të Iniestës dhe Ramosit mund të pajtohen me këtë?

Epo, dëgjoni, nëse mbreti i Spanjës të lë të kuptohet hapur… Ata thjesht qarkulluan topin, nuk shfaqën iniciativë. Djema, edhe një herë po them, duhet të më besoni. Erdhi mbreti i Spanjës, kishte një marrëveshje specifike…

E besoni apo e dini këtë version të ngjarjeve?

Besoj dhe ka informacione nga njerëz të caktuar, madje edhe futbollistë. Unë nuk do të flas më shumë. Dua që kjo të mos vijë nga unë, por nga vetë lojtarët. Herët a vonë ata do të rrëfejnë dhe tregojnë. Do të vijë koha dhe gjithçka do të thuhet qartë.

Cherchesov është i vetmi trajner rus, që ka fituar në Evropë vitet e fundit, në Poloni dhe tani në Hungari. A është trajneri më i mirë rus?

Për momentin, po. Nëse kjo është e vërtetë, nuk do të debatoj. Ai fitoi dhe tani është trajneri më i mirë rus. Kjo është e vërtetë.

Atëherë, a mund ta drejtojë kombëtaren tani?

Mendimi im është se nuk ishte i përshtatshëm për kombëtaren. Dikush mund të ketë një mendim tjetër. Në klub ai punon mirë, as që e mohoj, por e bardha nuk mund të jetë e zezë. Ndoshta është thjesht një trajner klubi, por nuk është i përshtatshëm për kombëtaren.