Transmetuar më 04-01-2023, 13:48

“Botërori 2022” në Katar shkoi mjaft mirë për kombëtaren amerikane. Amerikanët kaluan të pamposhtur në grupin e tyre, ku përfshiheshin edhe Anglia, Irani e Uellsi, duke mposhtur aziatikët dhe barazuar me “Tre Luanët” e “Dragonët”.

Rruga më pas u ndërpre në 1/8 finale kundër Holandës, por skuadra e drejtuar nga Gregg Berhalter tregoi alkiminë e zakonshme të shkëlqyer në grup dhe gjithashtu njëfarë individualiteti që binte në sy. Pra, një përvojë 100% pozitive. Por jo për trajnerin që, siç shpjegon “The Sun”, në një deklaratë të gjatë pranoi se ishte viktimë e shantazhit…

Po flasim për një histori të 30 viteve më parë: “Gjatë Kupës së Botës, një individ kontaktoi Federatën e Shteteve të Bashkuara duke i thënë se kishte informacione rreth meje, që do të më shkatërronin. Një përpjekje për të shfrytëzuar diçka personale që më ndodhi shumë kohë më parë, për të ndërprerë marrëdhënien time të punës si trajner i kombëtares së SHBA".

Kjo diçka personale ka të bëjë me raportin e Berhalterit me gruan e tij Rosalind. 30 vite më parë, kur të dy ishin ende të fejuar dhe në fakultet, pati një sherr, që përfundoi keq. “Një natë, unë dhe Rosalind filluam të debatonim, gjërat kaluan në caqe fizike. Unë e godita me shkelm në këmbë, menjëherë i kërkova falje, por është e kuptueshme se ajo nuk donte t’ia dinte për mua për një kohë", – shpjegon Berhalter.

Megjithatë, për fat të mirë, atëherë gjërat u përmirësuan: "Kërkova ndihmë, shkova për terapi psikologjike dhe nuk bëra më asgjë të tillë. Unë dhe Rosalind folëm dhe vendosëm të rindërtonim marrëdhënien tonë, që atëherë kemi jetuar së bashku në pesë vende të ndryshme, kemi ndërtuar një familje".

Një histori që dikush u përpoq ta përdorte për ta shtyrë Berhalterin të humbiste punën. Pra, kjo është arsyeja pse ai foli hapur për të: “Nuk duam të fshehim asgjë, kjo është historia jonë. Ne kemi bashkëpunuar hapur me hetimin e hapur nga federata dhe, megjithëse nuk do të kishim dashur të diskutonim publikisht diçka kaq personale, shfrytëzuam rastin për të treguar se sa kjo situatë na ka bërë të mësojmë”.

Dhe, pavarësisht shantazhuesit anonim, stoli i SHBA është ende i tij.