Transmetuar më 04-01-2023, 11:44

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique i tha lamtumirë skuadrës së jetës së tij me një ceremoni emocionale në “Camp Nou”, por nuk e mbylli derën e kthimit në ndonjë klub, me sa duket në zyra.

“Kam vendosur, është momenti për ta mbyllur këtë cikël. Gjithmonë kam thënë që pas Barçës nuk do të ketë asnjë ekip tjetër dhe kështu do të jetë”, – ishte fraza e tij në videon e lamtumirës. Megjithatë, në projektin e tij të ri, Liga e Mbretit, Pique nuk ia ka mbyllur derën mundësisë që të dalë në fushë sërish në shkurt, në një nga 12 skuadrat që përbëjnë këtë ligë.

Tani, sipas informacioneve nga “Relevo”, Gerard mund të mendojë ta bëjë përsëri ekipin në pronësi të tij, Andorrën, aktualisht në LaLiga Smartbank, pjesë të Kategorisë së Dytë Spanjolle. Edhe kështu, duket shumë e komplikuar financiarisht.

Arsyeja kryesore do të ishte kontrolli ekonomik i La Liga-s, pasi paga e tij te Barça këtë vit do të ishte rreth 20 milionë euro. Andorra nuk mund t’ia paguajë atij pagën minimale të “ligës së argjendtë”.

Paga e tij duhet të kalojë përmes një Komiteti Vlerësimi të La Liga-s, i cili duhet të vendosë se sa vlerësohet nënshkrimi i një lojtari me karakteristikat e Pique. Diçka që ka ndodhur tashmë në raste të ngjashme, ku lojtarët pranuan një ulje drastike të pagave, por nuk u pranua nga punëdhënësi.

Përveç kësaj, Andorra ka një pagë maksimale prej 6.529 milionë euro, kështu që do të ishte e vështirë të pranohej një pagë si ajo e Pique. Sipas informacioneve, dy rrugët e vetme do të ishin rritja e kapitalit dhe disa të ardhura të reja në formë sponsorizimi, edhe pse do të ishte shumë e ndërlikuar.

Aktualisht, Pique do të vuante dënimin me 4 ndeshje pezullim, që mori pasi u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen e tij të fundit si profesionist, si zëvendësues, kundër Osasuna në “El Sadar”. Për momentin, Pique është ende i regjistruar te Barça dhe tashmë ka përfunduar të parën nga katër ndeshjet pezullim.