Transmetuar më 03-01-2023, 12:54

Durrës- Plagosi me armë gjahu (çifte) një 28-vjeçar, kapet pas një orë ndjekje nga Policia dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Rreth orës 09:40, në vendin e quajtur “Kthesa e Ariut”, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta, G. H. ka plagosur me armë gjahu (çifte), L. P., 28 vjeç.

Policia vendore informon se shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të G. H. dhe pas 1 orë ndjekje, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të G. H., 32 vjeç, banues në Perlat, Manzë.

Ndërkaq, i plagosuri, L. P. aktualisht merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet për dokumetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.