Transmetuar më 02-01-2023, 10:19

BERAT- Policia e Beratit ka arrestuar një 47-vjeçar i shpallur në kërkim.

Pajtim Shyti ishte shpallur në kërkim në Shqipëri si dhe në Malin e Zi për trafik droge është ka rënë në pranga nga operacioni ‘Vendngjarjet’. Shyti është i dënuar me 7 vite burg në Shqipëri dhe në Mal të Zi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Policia vendore informon se ‘shërbimet e komisariatit të Policisë Berat, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të kërkuar për veprimtari të ndryshme kriminale, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vendngjarjet”.

Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi i kërkuar Pajtim Shyti, 43 vjeç, banues në lagjen “30-vjetori”, Berat. Ky shtetas, gjatë periudhës 2017-2021, është dënuar dhe akuzuar 3 herë, në Shqipëri dhe në Mal të Zi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, konkretisht: •Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin e datës 30.05.2017, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, pasi në vitin 2016, ky shtetas u kap në Përmet, duke shpërndarë lëndë narkotike; •Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 02.05.2017, e ka dënuar me 2 vjet e 7 muaj burgim, pasi në vitin 2016, në banesën e tij në Berat, iu gjetën sasi lëndësh narkotike heroinë e kokainë, si dhe fara kanabisi; •Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin e datës 15.01.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ishte i kërkuar nga autoritetet malazeze, po për prodhim dhe shitje narkotikësh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme’.