Transmetuar më 29-12-2022, 08:35

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në finalet e Kupës së Botës, golashënuesi i dytë francez i të gjitha kohërave në Kupën e Botës… Kylian Mbappé synon një rekord të ri për t’ia shtuar karrierës personale që është në rrugën e duhur.

Sulmuesi i PSG-së, i cili nuk donte të bënte pushime pas finales së Botërorit, dëshiron të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrës pariziene. Deri më tani, talenti nga Bondy ka shënuar 190 gola në 237 ndeshje.

Pra, një mesatare prej 0.80 gola për ndeshje. Edinson Cavanit, i cili mban rekordin me 200 gola, iu deshën 301 ndeshje për ta arritur majën, në një përqindje dukshëm më të ulët prej 0.66 gola për ndeshje.

Uruguajani e kaloi Ibrahimovicin, i cili nga ana e tij u tejkalua nga Mbappé sezonin e kaluar, me suedezin që ka përqindjen më të mirë nga të tre, pasi ka shënuar 156 gola në 187 ndeshje, me një mesatare  0.87.

Në mes të shkurtit, pak para ndeshjes kundër Bayern Munich, rekordi i Cavanit mund të jetë thyer. PSG nuk ka një program shumë kërkues dhe Mbappé, i cili ka shënuar 29 gola dhe ka dhënë 7 asiste në 32 ndeshjet e këtij sezoni, nuk ka "frena dore".

“Më ka mbetur vetëm Cavani për të qenë golashënuesi më i mirë në historinë e PSG-së. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Të jesh golashënuesi më i mirë i PSG-së është diçka që nuk mund të injorohet. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, – tha ai më 26 shkurt 2022, pikërisht kur e parakaloi Ibrahimovicin në vendin e dytë të golashënuesve të të gjitha kohërave të PSG-së.