Transmetuar më 24-12-2022, 09:30

Karriera e çdo futbollisti kalon nëpër etapa të ndryshme. Kuptohet, kuleta mbushet duke luajtur dhe triumfuar me klubet, ndërsa krenaria përmbushet me kombëtaren. Janë gjëra që Gianluigi Buffon di t’i “peshojë” më së miri, sepse ka shkëlqyer me të dyja fanellat, atë të Juventusit (më së shumti në klube) dhe axurre.

Në palmaresin e tij është edhe një Kupë Bote, e fituar në vitin 2006, ku portieri i shquar mbronte kuadratin e Italisë. Duke folur për faqen zyrtare në internet të Federatës Italiane të Futbollit, 44 vjeçari i është kthyer rrugëtimit të tij të gjatë me kombëtaren e vendit të tij:

“Ekipi kombëtar përfaqëson momentin në të cilin unë munda të thoja se jam i lumtur, sepse ia dola. Të rritesha me pasion për futbollin, të kisha debutuar tashmë në Serie A dhe të kisha veshur fanellën e kombëtares të paktën një herë ishte si duke plotësuar një ëndërr.

Munda të them që isha i lumtur dhe se ia dola. Kur shikoj fanellën e Rilindjes pyes veten: pse ne italianët, në përgjithësi Italia si komb, kemi nevojë gjithmonë për një shpërthim që të gjejmë më pas arsyen për të filluar sërish. Për më tepër kam pasur nderin të jem portieri i vetëm i kombëtares që ka mundur të veshë fanellën blu.

Ishte një dhuratë nga PUMA. E mbaj mend mirë, luajtëm në Torino kundër Maqedonisë. Në atë kohë trajner ishte Ventura. Ishte një mbrëmje e veçantë, sepse ne portierët nuk e kemi kurrë nderin të veshim një fanellë që përfaqëson kombin. Megjithatë, në atë rast, unë isha blu gjatë gjithë ndeshjes.

Kjo është diçka e veçantë psikologjikisht. Kur isha djalosh i ri bëja gjithçka për t’u dalluar nga të tjerët dhe të kisha një këmishë ndryshe ishte diçka që më kënaqte. Pasi u rrita dhe u bëra njeri më i pjekur, ndjeva nevojën për të qenë me të tjerët dhe për të ndarë gjithçka me ta.

Kështu që edhe fakti që kisha mundur të vishja bluzën blu më bëri të lumtur. Kupa e Botës? E para, çfarë ti mendon pas fitimit të një Botërori është të jesh në gjendje të vdesësh të nesërmen i lumtur. Ti ndjen në lëkurë madhështinë, rëndësinë e ngjarjes dhe të asaj që ke bërë. E kupton, sepse të tjerët të bëjnë ta kuptosh".