Transmetuar më 23-12-2022, 13:03

Maqedonia e Veriut- Është zbardhur ngjarja e rëndë e ndodhur në Tetovë, ku trupi i një 16-vjeçari u gjet i pajetë në në vendin e quajtur Banjat e Tetovës.

16-vjeçari dyshohet se është sulmuar nga një bashkëmoshatare e tij me sende të forta. Fillimisht, rreth këtij rasti u raportua se dyshohet për vetëvrasje, por policia tha se dyshimet tani janë për vrasje.

Sipas policisë, të miturit kishin një lidhje dashurie me njëri-tjetrin, por kohët e fundit kishin pasur konflikte. 16-vjeçari ishte shpallur i zhdukur një ditë më parë nga prindërit e tij, pasi kishte marrë makinën e familjes dhe ishte larguar pa thënë gjë. Pranë trupi, u gjet edhe makina me të cilën kishte lëvizur djali.

Avokati mbrojtës i vajzës në fjalë, Ibrahim Bajrami, ka bërë të ditur se vajza po mbahet nën mbikëqyrje të specializuar psikiatrike.

“Për momentin mund të them se bëhet fjalë për person të mitur të gjinisë femërore, nën 18 vjeç. Çështja është në procedurë hetimore dhe si e tillë për shkak të zbardhjes sa më korrekte të rastit është mirë që në këtë fazë t’i lëmë organet të bëjnë detyrën. Personi që unë e kam marrë ta përfaqësoj, do të jetë nën mbikëqyrje të stafit profesional mjekësor, për t’u vërtetuar gjendja e saj psiko-fizike. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u vërtetuar gjendja faktike në lidhje me rastin shumë tragjik”, deklaroi avokati Bajrami.

Policia ndërkohë po vazhdon hetimet, për të zbuluar shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë.