Transmetuar më 22-12-2022, 21:30

Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë për të Mitur, 2022-2026, synon të ofrojë një platformë kombëtare për të gjithë profesionistët që punojnë me dhe për fëmijët – si dhe partnerët ndërkombëtarë që punojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve – për të siguruar një shoqëri që parandalon përfshirjen e fëmijëve në vepra penale dhe viktimizimin e tyre, kryesisht mes edukimit, informimit, ndërgjegjësimit, konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të programeve parandaluese, programeve restauruese dhe ndërmjetësimit si dhe krijimit të një mjedisi të sigurt për çdo fëmijë

TIRANË, 22 DHJETOR 2022, NOA.al – Reformi i drejtësisë penale për të mitur, është një proces që ka nisur në vitin 2018 kur u miratua Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë për të Mitur dhe Plani i saj 4-vjeçar i Veprimit. Tani, nga ministria e Drejtësisë është përgatitur një strategji e re për 5 vitet në vazhdim.

Elona Hoxha, Drejtore e Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë, thotë se kjo strategji është hartuar përmes një procesi të koordinuar dhe konsultimi të gjerë me ministritë e tjera përgjegjëse, organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, institucionet e pavarura kushtetuese, profesionistët e profesioneve të lira, përfaqësuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore, organizatat e shoqërisë civile, partnerë ndërkombëtarë dhe profesionistë të botës akademike të cilët punojnë me dhe për fëmijët.

Katër vjet pas nisjes së strategjisë së parë, në një bilanc që ministria e Drejtësisë bën mbi ndryshimet e bëra, evidenton se u krijua kuadri ligjor dhe institucional i drejtësisë penale për fëmijët si dhe u hodhën bazat e aksesit në drejtësinë penale për të miturit. Po ashtu, nisi dhe trajnimi i profesionistëve në çështjet e drejtësisë penale për fëmijët.

Elona Hoxha, Drejtore e Politikave dhe Strategjive në Fushën e Drejtësisë- Ministria e Drejtësisë

Hoxha vë në dukje se "në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur”, u krijua Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, e cila po bën një punë shumë të mirë për ndërgjegjësimin në shkolla, familje dhe në komunitet, për të mirëpritur të miturit e rikthyer pas përfundimit të dënimit.

Ndërsa strategjia e re që ka filluar dhe vazhdon deri në vitin 2026, synon të ofrojë një platformë kombëtare për të gjithë profesionistët që punojnë me fëmijët dhe për fëmijët duke përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë që punojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve.

Hoxha thotë se e gjitha kjo, bëhet "për të siguruar një shoqëri që parandalon përfshirjen e fëmijëve në vepra penale dhe parandalon po ashtu viktimizimin e tyre, kryesisht mes edukimit, informimit, ndërgjegjësimit, konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të programeve parandaluese, si dhe krijimit të një mjedisi të sigurt për çdo fëmijë".

Strategjia e re vjen në kushtet kur numri i fëmijëve që marrin pjesë në procese gjyqësore është i lartë. Për më tepër, të drejtat e tyre cënohen shpesh.

Shqetësim tjetër janë dhe çështjet civile dhe familjare ku merren vendimmarrje që ndikojnë drejtpërdrejtë tek fëmijët, ndaj kjo strategji është përgatitur enkas për të mbrojtur këta të mitur. Për këtë qëllim, strategjia udhëhiqet nga parimi i interesit më të lartë të fëmijës në kontakt apo në konflikt me ligjin si dhe në çdo veprim apo vendimmarrje që ka të bëjë me fëmijën ose që ndikon tek fëmija, në çdo fazë të proceseve civile, familjare, administrative dhe penale.

Për herë të parë, një institut enkas për fëmijët

Ministria e Drejtësisë, në strategjinë e saj ka përfshirë ngritjen dhe funksionimin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Konflikt me Ligjin, sipas standardeve ndërkombëtare dhe modelet evropiane.

Ky institut synon të realizojë objektivin e kalimit të të miturve nga sistemi penitenciar në sistemin rehabilitues. Ai synon gjithashtu rishoqërizimin e të miturve dhe të rinjve, siç parashikohet në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur.

Instituti do të bashkojë të gjithë zinxhirin institucional për të miturit që kanë nevojë për riintegrim në periudhën 6 mujore post dënim, si dhe të miturit që kanë kryer vepra të rënda penale dhe mbikëqyrja e tyre është e nevojshme.

Risia, dëmshpërblim për viktimat e krimeve seksuale

Çështja e krimeve seksuale është përfshirë në strategjinë e pesë viteve të ardhshme. Prokuroria e Përgjithshme, në raportin e saj të fundit vjetor, për 2021, nxori në pah se ka një rritje të ndjeshme të procedimeve penale për krime seksuale.

Raportohet se në vitin 2021, mbi 77 përqind e viktimave të krimeve seksuale ishin nën moshën 18 vjeç, nga të cilët 94.12 përqind ishin të mitura.

Në kushtet kur shifrat janë shqetësuese, strategjia ndalet shumë edhe në frenimin e kësaj dukurie, duke synuar sidomos parandalimin. Për këtë, qëllim është përfshirë në strategji, informimi i fëmijëve dhe prindërve të tyre.

Strategjia adreson për herë të parë disa hapa në drejtim të garantimit të së drejtës për dëmshpërblim të viktimës të mitur duke u bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë. Në këtë kuadër synohet krijimi i fondit të përgjithshëm të kompensimit dhe marrja e masave për ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për kompensimin e viktimave.

/noa.al