Transmetuar më 14-12-2022, 11:38

Prishtinë- Ditë historike për Kosovën. Nënshkruhet anëtarësimi për në Bashkimin Europian.

Aplikimi është nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca në një ceremoni zyrtare.

“Sot është një ditë historike, 14 dhjetori ka rëndësi të veçantë në historinë tonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në BE dhe sot po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë së shtetit tonë, të dyja këto hapa të rëndësishëm në rrugën euroatlantike të vendit”- tha presidentja Osmani pas ceremonisë.

Konfirmimin se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE, e bëri të ditur dje edhe kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në. Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, tha Kurti.

Kosova kërkesën do ta dorëzojë në Këshillin e BE-së, i cili më pas i kërkon Komisionit të vlerësojë aplikimin.