Transmetuar më 12-12-2022, 11:03

SERBI– Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka theksuar se Serbia kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga veriu i Kosovës dhe në të njëjtën kohë po kërkon mënyra për të ulur tensionet në atë zonë.

Këto deklarata Vuçiç i ka bërë për Reuters, ku ka folur rreth tensionimit të situatës në veri të Kosovës, aksioneve të policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe dhe ngritja e barrikadave nga këta të fundit.

Ai ka theksuar se policia e Kosovës nuk ka çfarë të bëjë në veri sidomos njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Ai shtoi se kjo krijon shqetësim dhe frikë te popullata serbe. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiç tha se serbët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në dhunën kundër trupave të NATO-s dhe anëtarëve të misionit të BE-së në Kosovë.

“Askush, në asnjë rrethanë, nuk duhet të përfshihet në sulmet… ndaj EULEX-it dhe KFOR-it”, tha Vuçiç.

Ai nuk pranoi të sqarojë hapat e rënë dakord në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërkohë i pyetur nëse Beogradi do të përpiqet të de-përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës, ai u përgjigj: “Absolutisht”. Vuçiç tha të shtunën se Serbia do t’i kërkojë KFOR-it të kthejë ushtrinë dhe policinë e saj në Kosovë, por në të njëjtën kohë shtoi se nuk beson se KFOR-i do të pajtohet me këtë.

Serbët në veri të Kosovës që nga e shtuna kanë bllokuar rrugët kryesore për shkak të arrestimit të ish-polici Dejan Pantiç. Mbrëmjen e së shtunës, siç ka thënë EULEX-i, në patrullën e tij zbuluese është hedhur një bombë, e cila është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, nga ai sulm nuk pati të lënduar apo dëme materiale.

BE, SHBA dhe NATO kanë bërë thirrje që të dyja palët të qetësohen dhe të heqin barrikadat.

Kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës, së bashku me gjyqtarët vendas dhe rreth 600 policë, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar për shkak të vendimit të autoriteteve të Prishtinës për të filluar zbatimin e një mase për zëvendësimin e targave të lëshuara nga Beogradi me ato të lëshuara nga Prishtina në territorin e Kosovës. Kosova më vonë pranoi të shtyjë zbatimin e atij vendimi dhe Beogradi deklaroi se do të ndalonte lëshimin e targave të reja. Po ashtu, Kosova ka vendosur që zgjedhjet në komunat serbe në veri të shtyhen deri në pranverë.