Transmetuar më 26-11-2022, 23:28

Porti i Durrësit u vizitua nga një prej jahteve më luksoze në botë, Perla e Zezë. Qëllimi ishte përfitimi nga lehtësirat që ofron vendi ynë për furnizimin me karburant me çmim të lirë dhe pa taksat që rëndojnë mbi shqiptarët.

“Sot Perla e Zezë, ndërtuar për një familje të pasur ruse do e blejë naftën me 125 lekë litri”.

Gjergj Erebara, Ekspert për Ekonominë:Kjo politikë tha se është një nga shumë politikat e qeverisë shqiptare, nga të pasurit për të pasurit, në kuptimin që përfituesit janë dy individë. Njëri është pronari i jahtit luksoz dhe tjetri pronari i kompanisë së hidrokarbureve, që i shet naftën dhe rrjedhimisht neve bëjmë një ligj vetëm për këta dy persona. Perla e Zezë konsumon mijëra tonë naftë dhe ndot mjedisin, aq sa e ndotin mjedisin tragete të tëra që transportojnë me mijëra njerëz.

Nëse një familje e mesme shqiptare shkon në Vlorë dhe ndërmerr një udhëtim me anije për në Karaburun, karburanti që konsumon kjo anije në shërbim publik dhe për turizmin është me akcizë, me TVSH dhe me gjithë taksat, kushton tek 220 lekëshi, ndërkohë që karburanti që paguan ky jaht kushton 120 lekë dhe është në shërbim të një njeriu.

Kjo diferencë prej 100 lekë të reja apo 1000 lekë të vjetra për litër, shpjegohet me faktin që qeveria jonë është qeveri dogane. Mënyra më e lehtë për të taksuar në Shqipëri është të marrësh taksën në doganë, pasi në konsum të brendshëm, administrata tatimore është qesharake përsa i përket zbatimit të ligjit.

Dhe gjatë viteve si kjo qeveri, si qeveria para saj, kur ka qenë ngushtë për të ardhura buxhetore gjëja e parë që ka bërë, ka rritur taksën e karburanteve, derisa e ka çuar në një nivel absurd siç është sot, që është shumë më e lartë dhe shumë më e paarsyeshme në krahasim me fuqinë e konsumit të Shqipërisë.