Transmetuar më 26-11-2022, 22:14

LUSHNJE-Një aksident ka ndodhur në aksin nacional Berat-Lushnje, në “Rotondon e Moravës”.Një mjet tip “Mercedes Benz” është përplasur me trafik-ndarësen e rrugës dhe si pasojë e përplasjes mjeti është shkatërruar.

Pas përplasjes, mjeti është braktisur në rrugë dhe nuk dihen ende shkaqet e braktisjes dhe kush ka qënë në drejtimin e tij.

Burimet policore bëjnë me dije se pas mbërritjes së policisë në vendngjarje mjeti u gjet i braktisur dhe me dyer të hapura. Policia ka rrethuar menjëherë perimetrin dhe po punon për identifikimin e shoferit, ndërkohë që një grup ekspertësh është duke ekzaminuar mjetin nga brenda pasi nuk mund të shpjegohet braktisja e mjetit pas përplasjes.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti rezulton i marrë me qira në qytetin e Durrësit, por ende nuk dihet identiteti i shoferit. Të njëjtat burime konfirmojnë se dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se pas përplasjes, nga mjeti kanë dalë shoferi dhe një pasagjer, të cilët janë larguar me vrap. Nuk dihen ende arsyet e largimit të dy shtetasve nga mjeti, ndërkohë që nga Spitali Rajonal Berat konfirmohet nuk ka mbërritur asnjë i plagosur apo i lënduar.