Transmetuar më 26-11-2022, 19:01

TIRANË- Pjetër dhe Jason Rushaj babë e bir, humbën jetën në Shkodër për shkak të motit të keq, por deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo mendon se ata nuk duhet të kishin kaluar në “Përroin e thatë” mesditën e 20 nëntorit. E ftuar në OraNews, Bozo tha se përmbytjet të lënë kohë të përgatitesh, nuk janë si tërmeti. Por, ajo shtoi se gjithsesi janë fatkeqësi natyrore.

Pjesë nga biseda në studio:

Luljeta Bozo: Tërmeti nuk të lë kohë të përgatitesh, nuk është si përmbytjet, përmbytjet të japin kohë.

Gazetarja: Në fakt ne patëm dhe dy viktima nga përmbytjet

Luljeta Bozo: Faktikisht atje nuk duhej kaluar…ata shumë keq…më vjen se…babë e bir, familja u shkatërruar, por çfarë të bëjmë se janë fatkeqësi natyrore.

Babë e bir humbën jetën teksa udhëtonin drejt Bogës. Uji mori makinën përpara dhe 50-vjeçari zbriti vajzën e i tha së shkonte në fshatin më të afërt për të marrë një kavo për ta tërhequr. Më pas doli edhe vetë bashkë me djalin nga mjeti. Por, kur një vrull i fuqishëm uji nga “Përroi i Thatë” i rrëmbeu djalin nga duart, Rushaj u hodh ta shpëtonte. Por, për fat të keq, të dy ndërruan jetë. Vajza u ndihmua nga një banor i zonës. Trupat e babë e bir u gjetën 16 orë më vonë.