Transmetuar më 26-11-2022, 13:56

Nga YLLI MANJANI

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Elbasanit për eleminimin e përgjimeve të "Taulantit", besoj se dikush duhet ta ketë ruajtur një kopje. Një kopje që ka sjellë edhe riaktivizimin e kësaj çështje pikërisht tani…

Se kush e ka e kush po e shtyn këtë gjë s’di ta them, por padyshim që dikush e shtyn. Me shumë gjasë janë ekuilibra të prishur brenda kupolës së pushtetit, ata që e hapin këtë çështje. Praktikisht këto lloj përgjimesh janë "flori". Vështirë të besosh se janë zhdukur.

Ato përdoren gjithmonë si shantazh. Fjala vjen, a e mbani mend se si Taulanti riaktivizoi disa përgjime të Ilir Metës në bisedë me K.I, përgjime të cilat ishin urdhëruar nga gjykata për t’u zhdukur?!

Ja pra që nuk ishin zhdukur. Dikush i kishte ruajtur… Njësoj besoj se ka ndodhur dhe në këtë rast, ku Taulanti është i përgjuari…

Gjykata mund të urdhërojë zhdukjen nga dosjet zyrtare, pra që nuk përdoren për hetime procedurale, por përmbajtja vështirë të jetë shuar… Dikush e ka ruajtur një CD…

Nëse Taulanti e ka mbushur kupën, do të dalë edhe përmbajtja e tyre. Në të kundërt, Taulanti është nën shantazh dhe do të jetojë gjatë me këtë situatë… Të paktën kështu besoj unë. Të presim e të shohim.

Sidoqoftë, nëse SPAK ka vullnet të zbulojë ndonjë gjë, policët, përgjuesit, zbardhësit, prokurorët dhe gjykatësit janë gjallë dhe nuk kanë përse të mos dëshmojnë si persona që kanë dijeni për krimet në Elbasan.

Veçanërisht për pyetjen kush dhe përse e vrau Ravik Gurrën?!