Transmetuar më 22-11-2022, 20:28

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë Klisman Nikolli.

Oficeri i policie i patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shëngjinit është vënë në prangat e policisë italiane, pasi akuzohet si pjesë e një grupi personash të akuzuar për disa vjedhje përgjatë dy javëve të fundit.

Nikolli është ndaluar nga karabinierët italianë 5 ditë më parë teksa po tentonte të kthehej në Shqipëri. Në dhomën e hotelit ku po qëndronte me dy bashkëpunëtorët e tij Viktor Bilani, 30 vjeç dhe Flor Koca, 35 vjeç policia gjeti valixhet e paketuara por planet e tyre për udhëtim u ndërprenë nga karabinierët.

Grupi i grabitësve vepronte në një orar të caktuar ndërmjet orës 17:30 dhe 19:00.

Policia e Shtetit

Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve dhe të paligjshmërive në përgjithësi, ka marrë njoftim se shtetasi K. N., 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane, për veprën penale "Vjedhja".

Menjëherë pas njoftimit të marrë nga homologët italianë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë K. N.

Punonjësi i Policisë K. N., konform procedurave ligjore, ka marrë leje pa të drejtë page, nga data 01.11.2022 deri më datë 31.12.2022. Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

Sqarojmë opinionin publik se rekrutimet në Kolegjin e Policisë, të Akademisë së Sigurisë, për Patrullë të Përgjithshme, bëhen në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në zbatim të kritereve të përcaktuara me VKM. Aplikantët kalojnë disa faza testimi dhe verifikimi, të cilat përjashtojnë kategorikisht mundësinë e hyrjes në Akademi, të aplikantëve me të kaluar kriminale.

Përsa i përket shtetasit K. N., të arrestuar nga autoritetet policore italiane, tashmë ish-punonjës i Policisë, sqarojmë se pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik ne në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë vendore të Policisë, janë ngritur dhe funksionojnë këshillat e emërtesës, për emërimin e drejtuesve të strukturave të Policisë, bazuar në rezultatet e punës, profesionalizmin, integritetin dhe pastërtinë e figurës.

Shprehim keqardhje për deklaratat dashakeqe që synojnë të përbaltin punën, mundin dhe sakrificën e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, të Policisë së Shtetit, që punojnë 24/7 për të garantuar rendin e sigurinë, dhe që përballen e luftojnë çdo ditë, me krimin në përgjithësi dhe me krimin e organizuar në veçanti.