Transmetuar më 18-11-2022, 08:38

Këtë të premte kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve ligjore dhe dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, nga sot deklasifikohen të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë.

Detyrimi për bashkëpunim

Sipas këtij ligji, çdo person është i detyruar të bashkëpunojë me Autoritetin, kur rezulton se ka dijeni për rrethanat e çështjes, kur i kërkohet informacion si person i përfshirë ose që ka dijeni për rrethanat e çështjes, apo kur ai vetë disponon informacion që e ndihmon Autoritetin në punën e tij. Autoriteti në zbatim të këtij ligji ka detyrimin të garantojë konfidencialitetin për çdo person që bashkëpunon.

Njohja me dokumentet

Tashmë çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.

Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.

E drejta për informim e bashkëpunëtorit

Lidhur me të drejtën për informim të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të afërmve të tyre, Autoriteti u jep bashkëpunëtorëve të ish- Sigurimit të Shtetit dhe të afërmve të tyre, informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta me kërkesë të tyre.

Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit apo të afërmit të tij i garantohet e drejta e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve të hartuara për të dhe i dorëzohen dublikata të tyre.

Autoriteti përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare, i klasifikon ato sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.

Me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, organi publik, mund të mbledhë deklarata nga palët, dëshmitarët dhe ekspertët, duke garantuar në çdo rast konfidencialitetin e individëve, që ofrojnë informacion si persona të përfshirë ose në dijeni për rrethanat e çështjes.

Të marrë dokumente të tjera të dokumentuara nëpërmjet mjeteve fotografike të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike, të vizitojë dhe të kontrollojë sende apo vende të përfshira.

Personat e zhdukur

Në procesin e identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur dhe të ekzekutuar, në kuadër të Marrëveshjes së Këshillit të Ministrave me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Autoriteti ndërvepron me Ministrinë e Brendshme për sa u takon instrumenteve ligjore dhe institucioneve në varësi të saj.”.

Verifikimi i propozimeve për dekorata

Ligji parashikon që do të ketë verifikim edhe për  propozimet për dhënie dekoratash, titujsh nderi, medaljesh dhe titujsh vendorë të nderit, për emërtimin e rrugëve, shesheve, hapësirave publike dhe monumenteve historike, kulturore, lapidarëve, me data, emra dhe simbole, që lidhen me të kaluarën e regjimit komunist.

Për këtë, Autoriteti në funksion të veprimtarisë së tij informuese bashkëpunon me muzetë kombëtarë të kujtesës, duke vënë në dispozicion të institucioneve të trashëgimisë kulturore dokumentacionin arkivor që disponon dhe bashkëpunon me to për zbardhjen e së vërtetës së krimeve të komunizmit.

Autoriteti mbështet organizimin e vizitave shkollore, të nxitura dhe të sugjeruara nga MASRja, si pjesë e programit vjetor, në vendet e kujtesës në ditët përkujtimore historike.