Transmetuar më 16-11-2022, 13:58

Ceremoni dhurimi në Qendrën Komunitare “Të qëndrojmë së bashku"

Në Qendrën Komunitare "Të Qëndrojmë së Bashku" u organizua ceremonia e dhurimit të 300 pakove për qytetarët në nevojë nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës.

Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori ZhouDing, zv.kryetarja e bashkisë së Tiranës Anuela Ristani, drejtoresha e Shërbimit Social Anisa Subashi, drejtoresha e Qendrës Komunitare "Të Qëndrojmë së Bashku" Eglisjana Laze, si dhe afro 300 qytetarë që morën dhurimet.

Ambasadori Zhou Ding shprehu kënaqësinë për takimin me qytetarët në këtë qendër dhe shpresën se materialet e jetesës të përgatitura me zell nga ambasada kineze do t’u japin ngrohtësi përfituesve të tyre në këtë dimër të ftohtë.

Duke cituar fjalët e Nënë Terezës, z. Zhou tha se për mbrojtjen e paqes, nuk duhen bombat dhe armët, por dashuria për njëri-tjetrin.

Prej shumë vjetësh, gjatë nxitjes aktive të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit kino-shqiptar në fusha të ndryshme, ambasada kineze nuk i ka harruar kurrë grupet e njerëzve më të paprivilegjuar në Shqipëri.

Pas tërmetit të vitit 2019 dhe shpërthimit të epidemisë së COVID-19, ambasada kineze ka shkuar më se një herë në komunitete, për t’u çuar banorëve sende të nevojshme për jetesën dhe materiale antiepidemike.

Njëkohësisht, ambasada kineze ka zhvilluar aktivitete të pasura kulturore dhe të mirëqenies shoqërore së bashku me bashkinë e Tiranës, duke zgjeruar dhe thelluar miqësinë kino-shqiptare.

Ambasada kineze dëshiron të thellojë bashkëpunimin me qarqet e ndryshme të Shqipërisë dhe të japë më shumë kontribut për të mirën e të dy popujve dhe për thellimin e miqësisë tradicionale ndërmjet dy vendeve, vuri në dukje ai.

Zv.kryebashkiakja e Tiranës Anuela Ristani tha se vitet e fundit, me ndihmën dhe përkrahjen e ambasadës kineze, janë konkretizuar një numër projektesh të bamirësisë, si Pylli i Miqësisë Shqiptaro-Kineze pranë Liqenit Artificial të Tiranës, parqet e argëtimit të fëmijëve në lagje etj., të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm për zbukurimin e mjedisit të qytetit dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Pakot e ndihmës të sjella nga ambasadori Zhou për Qendrën Komunitare "Të Qëndrojmë së Bashku" mishërojnë edhe një herë përkujdesin e ambasadës kineze për qytetarët shqiptarë dhe miqësinë e sinqertë ndërmjet të dy popujve, u shpreh znj. Ristani.

Ajo po ashtu vuri në dukje se bashkia e Tiranës është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me ambasadën kineze, për të çelur një kapitull të ri të miqësisë ndërmjet dy popujve.