Transmetuar më 09-11-2022, 10:50

Pensionistët në Shqipëri do t’i gëzohen festave të këtij fundviti me një gjysmagjel ose pesë mijë lekë, si shpërblim nga qeveria.

Këtë e pohoiKryeministri Edi Rama, gjatë turit të takimeve sot në Kamëz, raporton noa.al.

Ai bëri të ditur se në fillim të dhjetorit, pensionistët do të marrin 5 mijë lekë të reja shpërblim për festat e fundvitit.

Sipas tij, kjo nuk është një ndihmë e madhe për pensionistët, por i lehtëson diçka si fund viti dhe raste festash dhe u jep një farë buzëqeshjeje.

“Në fillim të dhjetorit, pensionistëve do u japim një mbështetje prej 5 mijë lekësh (të reja) për gjithësecilin.

Kjo nuk është një shumë e madhe, por është një shumë që ata e kanë pasur dhe do e kenë sërish këtë vit.

I lehtëson dhe u jep një buzëqeshje për fundvitin,"- tha kryeministri Rama.

Tradita festive në fundvit është gjeli i detit në tavolinë. Çmimet e tij kanë kapur majat vitet e fundit dhe një i tillë kushton afro 10 mijë lekë çka për një çift pensionistët, mbulon tërë shumën e nevojshme për ta blerë në fundvit.