Transmetuar më 07-11-2022, 22:01

KOSOVË- Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e familjes së Minire Nura, të moshuarës së dhunuar në Pejë disa ditë më parë.

Në një postim në Facebook Mehaj u shpreh se ai shkoi në Gjakovë për të vizituar të moshuarën, nënën e dëshmonrit Taulant Nura.

“Sonte ishim në Gjakovë, vizitë tek nëna Minire, e cila i dha kombit shqiptar djalin e saj, dëshmorin e lirisë, Taulant Nura. Nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit. Janë ato që na edukuan, na rritën e gdhendën brenda nesh dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Ne ndjehemi borxhli ndaj shumë kujt, por borxhin më të madh ua kemi atyre”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj ka shtuar se kujdesi i familjes për nënën Minire nuk ka munguar asnjëherë dhe se asnjëherë nuk do të harrohen sakrificat e nënave të heronjve që luftuan për lirinë e Kosovës.

“Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes e as pasardhëve tanë që t’i harrojmë ato, të harrojmë sakrificën dhe qëndresën e tyre, e aq më pak nuk guxojmë as të mendojmë të mos t’i respektojmë. Kjo nuk na falet, këtë nuk guxojmë ta falim. Kujdesi i familjes nuk ka munguar asnjëherë për nënën Minire. Djali i saj, Taulanti iu bashkua UÇK-së qysh në moshën 17 vjeçare, ai nuk dallohej vetëm për nga mosha, por edhe për nga guximi i cili buronte thellë nga shpirti i tij. Nëna Minire, ia fali djalin e saj atdheut i cili ra dëshmor, por fitoi zemrat e gjithë shqiptarëve, gjithashtu djemtë e ushtrisë sonë janë të gjithë si të ishin djemtë e saj, të gjithë ne do t’i gjendemi pranë sa herë që ka nevojë. Dëshmorët tanë nuk do t’i harrojmë asnjëherë, rrugës së tyre do të ecim gjithmonë”, ka shkruar ai.

Keqtrajtimi i të moshuarës në qendrën "Orenda" në Pejë ka tronditur opinionin publik dje pas videos së publikuar në rrjet ku e ëma e një dëshmori të UÇK-së, Taulant Nurajt, Minire Nuraj kishte rënë pre e dhunës shtazarake nga kujdestarja Aurona Pelaj. Infermierja Aurona Pelaj bashkë me 2 nga shoqet e saj është arrestuar ndërsa në hetim është vajza e katërt. Debati ka përfshirë edhe Shqipërinë në lidhje me situatën nëpër qendrat e kujdesit të të moshuarve.