Transmetuar më 06-11-2022, 14:32

BRITANI- Me faturat e energjisë që arrijnë një nivel të papërballueshëm mes krizës së kostos së jetesës, shumë britanikë kanë zgjedhur të kalojnë muajt e dimrit në Shqipëri. Duke qënë se Shqipëria ka një klimë të ngrohtë, hotele më të lira se qiratë në Britani dhe alkool të lirë, e ka bërë vendin tonë tërheqës si një destinacion dimëror për britanikët.

Daily Star raporton se jetesa në Shqipëri është mesatarisht 64% më e lirë se në Mbretërinë e Bashkuar. Një zëdhënës i Travel Republic tha: “Shtatori është muaji kur shumica e njerëzve e kalojnë atë në Shqipëri dhe ata priren të qëndrojnë për katër muaj”.

Udhëtimi është gjithashtu i përballueshëm dhe i disponueshëm, me tetë linja ajrore që udhëtojnë në vend, dhe biletat kushtojnë vetëm 24 £. Një pensionist që udhëton rregullisht në Shqipëri tha: “Unë e vizitoj pasi është shumë më lirë dhe më e bukur se Britania e Madhe në dimër, veçanërisht për momentin. Unë mund të përfundoj me pensionin tim britanik ende në portofol deri në fund të muajit.”

Francesca Masotti, e cila shkruan rregullisht për faqen Culture Trip për Shqipërinë, shtoi: “Një nga gjërat më të mira të udhëtimit në Tokën e Shqiponjave është se do të jeni të mirëpritur nga vendasit. Shqipëria është një nga vendet më miqësore që do të vizitoni ndonjëherë. Shqipëria është gjithashtu një nga vendet më pak të rrezikshme në Evropë. Por vizitorët duhet të sigurohen që të marrin me vete një palë pantallona me bel elastik, sepse kuzhina është fantastike. . . dhe plotësisht të përballueshme.”

Ky artikull është ana tjetër e medaljes nga ajo që shkruhet për rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin Anglez.