Transmetuar më 06-11-2022, 09:14

Vënia në shënjestër nga zyrtarë të lartë britanikë, duke i cilësuar shqiptarët si "kriminelë", ka sjellë indinjatë tek emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Britaninë e Madhe.

Debati në lidhje me cilësimin e shqiptarëve si "kriminelë", ka marrë më shumë hov, edhe pas qëndrimeve publike të kryeministrit, Edi Rama, i cili ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve dhe komenteve të zyrtarëve më të lartë britanikë.

Rama reagoi sidomos ndaj ministres së Brendshme, që bëri deklarata të rënda në adresë të shqiptarëve, duke i përgjithësuar ata si kriminelë.

Nisur nga këto akuza, emigrantët shqiptarë, nëpërmjet një njoftimi që po ndahet me shpejtësi në rrjetet sociale, kanë paralajmëruar një protestë të madhe në Londër më datë 12 nëntor ora 10:30.

Protesta do të zhvillohet në “Westminster Bridge” dhe koincidon në të njëjtën ditë me protestën kombëtare që opozita demokrate e Sali Berishës ka thirrur në Tiranë.

“Protestë kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”, është motoja e këtij tubimi të emigrantëve.

Gjuha raciste dhe etiketimet pa dallim ndaj shqiptarëve, duke i cilësuar si “kriminelë” apo “gangsterë”, janë dënuar gjerësisht nga emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Britani.